Lamallari duket se ka hyrë shpejt në “rutinën” e Ministrisë së Brendshme, duke ndjekur hap pas hapi modelin e paraardhëses së tij, Albana Koçiu, e cila pas çdo proteste me tensione shfaqej në Spitalin e Traumës.
Edhe këtë herë, pas përplasjeve në protestën e opozitës, ministri është paraqitur pranë efektivëve të plagosur, në një skenë që tashmë është bërë e zakonshme pas çdo tubimi të shoqëruar me incidente.
Në reagimin e tij, Lamallari thekson se policët janë lënduar nga molotovët dhe mjete të rrezikshme, ndërsa ndodheshin në krye të detyrës për garantimin e rendit.
“Në Spitalin e Traumës për të parë nga afër punonjësit e Policisë së Shtetit të plagosur nga molotovët dhe mjetet e rrezikshme teksa ishin në krye të detyrës për të garantuar rendin dhe sigurinë e qytetarëve. Sulmet ndaj uniformës së shtetit janë të patolerueshme”, shprehet ai.
Ministri shkon më tej duke akuzuar për përdorim të të miturve në protestë.
“Mjerim i madh e pabesi të vësh përpara të miturit, t'i shtysh të ndezin molotovë dhe të hedhin fishekzjarre ndaj institucioneve e punonjësve të Policisë së Shtetit. Kjo nuk është protestë, por akt i pastër manipulimi dhe shfrytëzim kriminal i të miturve”, deklaron Lamallari.
Ai paralajmëron se autorët dhe organizatorët do të mbajnë përgjegjësi, ndërsa thekson se institucionet do të vijojnë të mbrojnë rendin dhe ligjin.
Lini një Përgjigje