TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Tetor 2025, 15:45

Kush do të jetë kreu i ri i BKH? SPAK kujtohet për vetingun e kandidatëve, nis shqyrtimi i dokumenteve

Shkruar nga Pamfleti
Kush do të jetë kreu i ri i BKH? SPAK kujtohet për vetingun e
Dumani-BKH

Mblidhet komisioni që do të merret me vetingun e kandidatëve të BKH...

Prokuroria e Posaçme është kujtuar të vihet në lëvizje për zgjedhjen e kreut të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Më 1 shtator Aida Hajnaj u lirua nga kjo detyrë, por SPAK i zvarriti qëllimisht procedurat dhe pas 1 muaji nga lirimi i saj ende nuk ka një drejtues të BKH.

Pas testeve fizike, testit me shkrim dhe poligrafit, mbetën në garë 7 kandidatë: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta.

Ajo që po mban peng procesin për zgjedhjen e kryetarit është vettingu që do t’u bëhet kandidatëve. Në SPAK u ngrit një komision, i cili do të verifikojë pastërtinë e figurës dhe pasurinë. Mësohet se pak më parë është mbledhur ky komision, i cili po verifikon nëse të gjitha institucionet kanë kthyer përgjigje.

SPAK iu drejtua me shkresë ILDKP-së, DSIK-së, organeve të rendit, Autoritetit të Dosjeve dhe disa organeve të tjera. Nëse janë kthyer përgjigje nga të gjitha institucionet, atëherë pritet të nisë procesi i shqyrtimit të dokumentacionit. Nëse jo, SPAK pritet të dërgojë kërkesa shtesë.

Por sinjalet janë se kemi të bëjmë me një vonesë artificiale. Nën rrogoz flitet se ka përplasje të forta mes 3 anëtarëve të komisionit që u morën me procesin e zgjedhjes së kreut të BKH, dhe kjo solli shkarkimin e Arben Krajës si drejtues i Marrëdhënieve me Jashtë. Ndërkohë aktualisht BKH drejtohet nga nënkryetari, Joni Keta, i cili garon dhe për kryetar.

Kreu i SPAK dhe nënkryetari i BKH kanë raporte të mira mes tyre dhe, si duket, këto muaj Dumani nuk do pengesë nëpër këmbë, pasi deri më tani Hajnaj nuk e ka lejuar të bëjë ç’të dojë. Po ashtu flitet se Dumani po tenton të vendosë aty një të besuarin e tij, duke qenë se në dhjetor largohet. Mirëpo kjo gjë ka hasur në pengesa dhe tani ka vetëm zvarritje.

Rol padyshim ka dhe KLP, pasi ky organ nuk ka lidhje me sistemin e drejtësisë. Anëtarët vetëm marrin rroga qyl dhe nuk kërkojnë llogari fare se çfarë ndodh me prokuroritë në vend. /Pamfleti

Lini një Përgjigje