
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar mbi 4 mijë kilogramë produkte bulmeti në një baxho në qarkun e Fierit, pas konstatimit të disa shkeljeve gjatë një kontrolli zyrtar. Ndaj subjektit është vendosur gjithashtu një gjobë administrative në vlerën 250 mijë lekë.
Sipas informacionit paraprak, gjatë inspektimit u evidentua se subjekti ushtronte aktivitetin në mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore, nuk kishte implementuar sistemin e vetëkontrollit (HACCP) dhe tregtonte produkte pa etiketë.
Si pasojë, autoritetet vendosën masën e bllokimit për një sasi të konsiderueshme produktesh të cilësuara si të pasigurta për konsum. Konkretisht, u bllokuan 1,400 kg krem gjalpi, 2,415 kg moxarella, 90 kg gjalpë i freskët lope, 100 kg gjizë dhe 18 kg moxarella në kova. Sipas AKU-së, këto produkte do të asgjësohen.
“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), në vijim të transparencës dhe informimit të publikut dhe në zbatim të legjislacionit në fuqi, bën me dije se në kuadër të kontrolleve të ushtruara, Drejtoria e Përgjithshme e AKU-së, përmes Sektorit të Monitorimit dhe Hetimit Ushqimor, referuar indicios së ardhur, ka kryer kontroll zyrtar në një subjekt me aktivitet ‘Baxho/Përpunim qumështi’ në qarkun e Fierit.
Gjatë kontrollit zyrtar, trupa inspektuese konstatoi se subjekti ushtronte aktivitetin në mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore, nuk implementonte sistemin e vetëkontrollit (HACCP), si dhe tregtonte produkte pa etiketë. Për këto shkelje, u vendos masa e bllokimit për një sasi produktesh të pasigurta.
Informojmë se për shkeljet e konstatuara, ndaj subjektit është marrë masa administrative ‘Gjobë’ në vlerën e 250.000 lekë, ndërsa produktet e pasigurta janë bllokuar me destinacion asgjësimin e tyre.
AKU garanton konsumatorët se do të vijojë kontrollet rigoroze në mbrojtje të shëndetit publik dhe inkurajon qytetarët që t’i drejtohen institucionit në çdo rast që konstatojnë cenim të sigurisë ushqimore, në emailin zyrtar [email protected], si dhe në numrin e gjelbër 08007575”, thuhet në njoftimin e AKU-së.
Lini një Përgjigje