TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet14 Shkurt 2026, 11:41

"Do vdesim këtu", banorët e Rrjollit kundër resorit të Bashkim Ulajt, dalin dhe bllokojnë punimet

Shkruar nga Pamfleti
"Do vdesim këtu", banorët e Rrjollit kundër resorit
Përplasjet e protestuesve me policinë

Banorët e Rrjollit vijojnë protestat kundër projektit për ndërtimin e një resorti turistik në zonën e Baks-Rrjollit, në Velipojë. Pas tubimeve të mëparshme para Kuvendit dhe Prokurorisë së Posaçme, ata u mblodhën sërish në zonë për të kundërshtuar nisjen e punimeve.

Gjatë protestës u shënuan tensione mes banorëve dhe forcave të rendit. Protestuesit bllokuan lëvizjen e automjeteve duke u ulur në rrugë, me qëllim ndalimin e punimeve.

“Punëtorë ju, punëtorë ne, me gjak ju, me gjak ne”, shprehen ata, ndërsa deklaruan se janë të vendosur të mbrojnë tokën e tyre.

“Do të vdesim këtu për tokën tonë dhe të gjyshërve”, tha njëri prej protestuesve.

Banorët kundërshtojnë ndërtimin e resortit “Blue Borgo”, projekt i kompanisë “Gener 2”, e cila ka marrë statusin e investitorit strategjik. Sipas tyre, leja e ndërtimit është siguruar mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara dhe pas heqjes së një pjese të sipërfaqes nga zona e mbrojtur.

Disa ditë më parë, dhjetëra banorë protestuan edhe para SPAK dhe Kuvendit, duke kërkuar verifikim të procedurave dhe ndërhyrje të institucioneve të drejtësisë.

Mara Paplekaj, banore e Rrjollit, deklaroi se familja e saj zotëron 175 dynym tokë dhe kundërshton mënyrën si po zhvillohet projekti.

“Ne kemi 175 dynym tokë tonën, kemi tokë edhe në mal edhe në fushë, por po na e grabisin me dokumente të falsifikuara”, tha ajo.

Sipas saj, banorët kanë zhvilluar negociata me kompaninë, por nuk kanë arritur marrëveshje.

“Bashkim Ulaj na ka thirrur, por nuk kemi rënë dakord me fjalët e tij dhe jemi në proces gjyqësor, sepse na ka premtuar gjëra qesharake që nuk janë për ne”, shtoi Paplekaj. “Por ata prapë kanë ardhur dhe kanë filluar punimet”, theksoi ajo.

Banorët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Resorti parashikon ndërtimin e 33 strukturave akomoduese me 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë. Kompania planifikon ta përfundojë projektin brenda 60 muajve.

Zona e Baks-Rrjollit ka qenë pjesë e Peizazhit të Mbrojtur Velipojë-Bunë dhe ndodhet mes Lagunës së Vilunit dhe Monumentit Natyror të Ranës së Hedhun. Ekspertë të zhvillimit të territorit vlerësojnë se ndërhyrje të tilla sjellin pasoja të pakthyeshme për territorin dhe prekin ekosistemin e zonës, e cila përfshin hapësira ligatinore me rëndësi për specie të ndryshme shpendësh.

Sipas ekspertit të territorit Imeld Sokoli, ndryshimet ligjore të miratuara në shtator 2024 i dhanë Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujërave kompetencën për të dhënë leje ndërtimi edhe në zona të mbrojtura.

Banorët pretendojnë se ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, të miratuara në shkurt 2024, hapën rrugën për investime strategjike në territore që më parë konsideroheshin të paprekshme.

“Rrjolli ka qenë Zonë e Mbrojtur që nga viti 2016 e deri më sot dhe vetëm pjesa takuese është hequr”, i tha BIRN Prek Molla, banor i Rrjollit.

Banorët pretendojnë se kompania ka negociuar me një pronar që ata e konsiderojnë fiktiv për të përshpejtuar procedurat.

“Çdo lloj dokumenti që ka Fatmir Shpellzaj është i falsifikuar. Dëgjesa publike është bërë, por jo në fshatin tonë nuk e di se ku. Për këtë unë kam bërë kallëzim në SPAK”, tha Prek Molla.

Çështja ndodhet në gjykatë dhe banorët kërkojnë pezullimin e punimeve deri në një vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit. Seanca e radhës pritet të zhvillohet më 16 shkurt.

protesta e banoreve te rrjollit

Lini një Përgjigje