Kryeministri Edi Rama ndodhet në Durrës ku bashkë me kryebashkiaken Emirjana Sako po zhvillon një takim me një përfaqësi të banorëve që kundërshtojnë projektin TID, prej të cilit preken rreth 90 ndërtesa, që sipas Bashkisë së qytetit bregdetar duhen të shemben. Banorët prej disa ditësh po protestojnë kundër projektit, madje kanë arritur që në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, të mos merret asnjë vendim, çka duket se ka detyruar Kreun e Qeverisë të udhëtojë drejt Durrësit për t’u takuar me banorët.
Paralelisht me këtë takim, që po mbahet në mjediset e Bashkisë, një grup qytetarësh të mbështetur edhe nga deputetë dhe këshilltarë bashkiakë të opozitës po qëndrojnë para godinës, në formë proteste.
Për shkak të masave të sigurisë, asnjë nga banorët që ndodhej para godinës së Bashkisë, nuk ka mundur të flasë me Kryeministrin, që ka zgjedhur të shohë nga larg ‘hallexhinjtë’ që mund të përballen me fadromat për shembjen e banesave të tyre, për shkak të zbatimit të një projekti që rezulton se është i pakonsultuar me ta.

Nuk dihet nëse Kryeministri dhe banorët do të bien ose jo dakort, por referuar deklaratave të mëparshme, Rama ka lënë të kuptohet se nuk i nënshtrohet presioneve. Dhe në kushte të tilla, ai mund të trajtojë edhe këtë protestë të qytetarëve si një presion, çka mund të pasohet nga ndonjë ndërhyrje represive.
Gjithsesi nuk duhet harruar fakti se Edi Rama ka qenë kandidat për deputet në Durrës, ashtu si dikur në Vlorë, dhe në të dy qytetet bregdetare, qoftë në nivel qendror ashtu edhe lokal, pushtete që i kontrollon vetë, janë aplikuar projekte që kanë shkaktuar përplasje dhe probleme sociale për qytetarët.
Pronarët e banesave, apo ata që jetojnë të shtëpitë që duhen të shemben, janë kundër trajtimit me qira pa arritur dakordësimin e shpronësimit të pronave të tyre.
Sipas bashkisë, është miratuar në parim vlera financiare e shpronësimit prej 867.776.164 lekë, për pasuritë pronë private, që preken nga ky investim publik.
Janë evidentuar 131 pronarë, privatë dhe shtet, për të cilët është caktuar vlera e shpronësimit.
Projekti i rijetëzimit të bulevardit historik “Epidamn”, i njohur si TID Durrës, parashikon shpronësimin e 74 familjeve durrsake, i cili sipas zhvilluesve parashikon ta rikthejë qytetin e Durrësit në hartën Europiane të destinacioneve kulturore dhe historike, si dhe të ofrojë mundësi përfitimi ekonomik nëpërmjet trashëgimisë së pasur kulturore dhe historike të qytetit për komunitetet lokale.
Lini një Përgjigje