TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet13 Shkurt 2026, 19:40

Tenderi 300 mijë euro për mobilimin e GJKKO-së, si pritet të rimodelohen sallat e gjyqit

Shkruar nga Pamfleti
Tenderi 300 mijë euro për mobilimin e GJKKO-së, si pritet të
GJKKO

Në projekt parashikohet përdorimi i drurit të lisit, ndriçim LED i fshehur dhe mobilim i ri për gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka nisur procedurën e prokurimit për rimodelimin e katër sallave të gjyqit. Fondi limit arrin në 299,688 euro dhe afati për dorëzimin e ofertave përfundon më 16 shkurt.

Dokumentet e tenderit përcaktojnë se kompania fituese duhet të realizojë punimet brenda dy muajve nga lidhja e kontratës. Projekti arkitektonik, i hartuar nga arkitektja Rajmonda Mydinllari, parashikon ndryshime të plota në ambientet ekzistuese.

Muret do të vishen me dru lisi masiv deri pranë tavanit, duke zëvendësuar suvatimin aktual. Panelet drusore do të lyhen me shkëlqim 30 për qind dhe montimi duhet të sigurojë puthitje të saktë mes elementeve. Tavani ekzistues prej gipsi do të hiqet dhe do të zëvendësohet me veshje dekorative me allçi, të kombinuar me ndriçim LED të fshehur.

Projekti përfshin edhe shtresimin e parketit me moket mbi laminat. Specifikimet kërkojnë ngjyra neutrale ose të errëta dhe dizajn që maskon njollat. Moketi duhet të jetë i përshtatshëm për ambiente publike me frekuentim të lartë dhe të ruajë formën në kushte përdorimi të vazhdueshëm.

Dyer me izolim akustik dhe veshje me lëkurë ekologjike do të vendosen në salla. Për mobilimin, dokumentet kërkojnë përdorimin e lisit natyral europian për tavolinat e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve dhe administratës, si edhe për karriget dhe podiumin. Elementet do të realizohen me gdhendje sipas projektit të paraqitur në rendera, raporton Top Channel.

Ndryshime do të pësojnë edhe dhomat e këshillimit. Materialet drusore duhet të jenë pa shenja biodegradimi apo plasaritje dhe rezistente ndaj lagështirës. Në ambientet e reja do të vendosen të dukshme stema e Republikës së Shqipërisë dhe ajo e institucionit.

 

gjkko tenderi rimodelim

Lini një Përgjigje