
Banorët e zonës së Baks–Rrjollit kanë dalë sot në një protestë për të kundërshtuar sërish ndërtimin e një resorti turistik në pronat që ata pretendojnë se u përkasin.
Në tubim morën pjesë gra, burra, fëmijë dhe të moshuar, të cilët shprehën vendosmërinë për të mos lejuar zhvillimin e projektit.
Reagimi i tyre vjen pas vendimit të Gjykatës Administrative për të rrëzuar kërkesën për sigurimin e padisë, me të cilën banorët synonin pezullimin e punimeve deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes. Sipas protestuesve, ky vendim i lë ata pa mbrojtje ligjore të menjëhershme dhe rrezikon pronat e tyre.
Gjatë nisjes së protestës janë shënuar edhe tensione, ku pati përplasje verbale me ekspertin e gjykatës, Romeo Nazarko. Banorët e akuzojnë atë për rol në procesin e vlerësimit të pronave, pretendime që mbeten për t’u verifikuar nga autoritetet përkatëse.
Protestuesit kanë paralajmëruar se do të përshkallëzojnë reagimin nëse nuk marrin zgjidhje për çështjen e pronësisë. Disa ditë më parë, ata zhvilluan një tjetër protestë përpara Kuvendit, duke kërkuar ndërhyrjen e deputetëve dhe institucioneve shtetërore.
Banorët theksojnë se nuk do të tërhiqen nga kërkesa e tyre deri në një zgjidhje të plotë dhe të drejtë të çështjes së pronave.
Lini një Përgjigje