Zyrtarja e lartë e NATO-s thekson rolin e vendeve anëtare të rajonit dhe kërkon përgjegjësi për incidentet në veri të Kosovës
Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Sekerinska, deklaroi se për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, të ndikuar edhe nga zhvillimet gjeopolitike globale, investimet në mbrojtje janë të rëndësishme, por dialogu politik mbetet vendimtar.
Ajo theksoi se vendet anëtare të Aleancës nga rajoni japin një kontribut të rëndësishëm për stabilitetin.
Në një intervistë për agjencinë Beta, dhënë në margjinat e takimit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s këtë javë në Bruksel, Sekerinska tha se NATO i ka ftuar vazhdimisht autoritetet në rajon të angazhohen në dialog, të zgjidhin çështjet e mbetura politike dhe të mbështesin prosperitetin dhe stabilitetin rajonal.
“Besojmë se të gjitha vendet e rajonit mund të kontribuojnë dhe janë të interesuara të mbështesin stabilitetin. Presim që të gjithë të ofrojnë mbështetje në këtë drejtim”, u shpreh ajo.
Duke komentuar takimin e fundit mes zyrtarëve të mbrojtjes së Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe paralajmërimin për stërvitjen e parë të përbashkët ushtarake, çka nxiti reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë për pasoja të mundshme afatgjata në siguri, Sekerinska deklaroi se Shqipëria dhe Kroacia kontribuojnë në stabilitetin rajonal.
Sipas saj, të dyja vendet janë aleate të besueshme brenda NATO-s dhe kontribuojnë në paqen dhe stabilitetin rajonal, përfshirë përmes pjesëmarrjes në misionin KFOR në Kosovë.
Ajo sqaroi se NATO nuk ka marrë pjesë në diskutimet apo konsultimet për deklaratën e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes të nënshkruar nga Zagrebi, Tirana dhe Prishtina në mars të vitit të kaluar. Megjithatë, anëtarësimi në NATO, theksoi ajo, nuk i pengon vendet të lidhin marrëveshje shtesë të mbrojtjes me palë të treta.
Sekerinska vlerësoi se situata globale gjeopolitike ka ndikuar edhe në rajon, duke sjellë më shumë stërvitje ushtarake dhe rritje të investimeve në mbrojtje dhe siguri. Ajo theksoi se NATO i inkurajon aleatët dhe partnerët që paralelisht të angazhohen në dialog politik dhe në zgjidhjen e çështjeve të hapura.
“Nuk ka pajisje ushtarake që mund të ndihmojë pa dialogun e duhur politik”, deklaroi ajo.
Në këtë kuadër, NATO mbështet dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës dhe synon të krijojë një mjedis të favorshëm për një zgjidhje politike.
Sa i përket rritjes së kapaciteteve ushtarake dhe blerjeve të armatimit në rajon, Sekerinska kujtoi se vendet anëtare të NATO-s, si dhe shtete të tjera, kanë rritur investimet në mbrojtje për shkak të kërcënimeve të qarta, përfshirë agresionin rus ndaj Ukrainës dhe kërcënimet terroriste.
Ajo rikujtoi se në samitin e NATO-s në Hagë vitin e kaluar, vendet anëtare u zotuan të rrisin shpenzimet për mbrojtje në pesë për qind të PBB-së deri në vitin 2035, me qëllim forcimin e mbrojtjes dhe parandalimit.
“Kjo nuk është garë armatimesh, por përgjigje ndaj kërcënimeve reale”, tha ajo, duke theksuar se NATO fokusohet në parandalim dhe mbrojtje, jo në qëndrime agresive.
Sekerinska kërkoi gjithashtu që përgjegjësit për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan dhe për ngjarjet në Banjskë në vitin 2023 të dalin para drejtësisë. Ajo theksoi se nga autoritetet në Beograd kanë marrë garanci për përcaktimin e përgjegjësisë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi këtë javë në Bruksel se pret ende përgjegjësi për ngjarjet në Kosovë dhe se presidenti i Serbisë i ka premtuar rezultate konkrete.
Šekerinska tha se NATO do ta përsërisë këtë kërkesë dhe pret rezultate nga autoritetet serbe.
Ajo theksoi se prania e NATO-s në rajon përmes KFOR-it dhe misioneve të tjera dëshmon angazhimin e Aleancës për paqen dhe stabilitetin. Sipas saj, Ballkani Perëndimor ka rëndësi strategjike për NATO-n, e cila mbetet aktive në rajon, pavarësisht përqendrimit në forcimin e mbrojtjes dhe mbështetjen për Ukrainën.
NATO ka disa vende anëtare në rajon, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe partnerë, përfshirë Serbinë, përfundoi ajo. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje