TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Qershor 2023, 17:36

“Kleçka” me autonominë, si Rama e Manastirliu po privatizojnë spitalet publike

Shkruar nga Pamfleti
“Kleçka” me autonominë, si Rama e Manastirliu po
Rama dhe Manastirliu

Neni 27 ju jep mundësi mjekëve që të përdorin ambientin e spitalit për shërbime me pagesë, pas orarit zyrtar. Pra nuk ka më nevojë që atë të kenë klinika private, pasi mund të përdorin pajisjet dhe ambientet shtetërore për një shërbim privat...

Qeveria ka vënë në zbatim ligjin për autonominë spitalore, ligj që i hap rrugë privatizimit të spitaleve publike. Ligji u miratua pak muaj më parë në Parlament, ndërkohë që qeveria ka bërë gati aktet nënligjore për zbatimin e tij.

Ishte ministrja Ogerta Manastirliu e cila paralajmëroi sot se spitalet publike do krijojnë autonomi më vete. I pari do të jetë spitali i Fierit, e më pas Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Spitali i Durrësit dhe ai i Shkodrës do të kenë autonomi spitalore.

Vendimi i Këshillit të Ministrave u jep mundësi si fillim këtyre spitaleve për t’u shtrirë më pas dhe në rajonet e tjera, që mjekët të ofrojnë shërbim privat në godinat publike.

Pra kjo i lejon mjekët të kryejnë konsulta ambulatore jashtë sistemit të regjimit apo të referimit. Pra pacientët mundet të kenë mundësinë të konsultohen me mjekët që duan,  me pagesa të tjera të përcaktuara nga bordi i spitalit. Kjo do ndodhë vetëm në ato spitale që kanë autonominë spitalore dhe kartën menaxheriale”, tha Manastirliu para mediave.

Për të qenë më të saktë, neni 27 ju jep mundësi mjekëve që të përdorin ambientin e spitalit për shërbime me pagesë, pas orarit zyrtar. Pra nuk ka më nevojë që atë të kenë klinika private, pasi mund të përdorin pajisjet dhe ambientet shtetërore për një shërbim privat.

Mjekët në spitale publike kanë mundësi të ofrojnë jashtë regjimit të punës së përcaktuar nga punëdhënësi, bazuar në dispozitat ligjore në fuqi, shërbime të konsultave ambulatore për pacientë jashtë sistemit të referimit. Spitali që mundëson praktikën e dyfishtë, miraton me vendim të bordit drejtues, kategorinë e shërbimeve të konsultave ambulatore, tarifat përkatëse, si dhe modelin e kontratës së shërbimit me mjekun që ushtron praktikën e dyfishtë në mjediset e spitalit publik, pa cenuar ofrimin e shërbimit spitalor publik”, theksohet në ligj.

Një element tjetër është se pas pasi të shpallen autonome, spitalet publike mund të lidhin kontrata shërbimi me spitalet private. Pra spitalet private do fillojnë të ofrojnë shërbime te spitalet publike dhe sigurisht nga kjo skemë do përfitojnë privatët. “Spitalet publike autonome kanë të drejtë të lidhin kontrata me palët e treta, me kompani private të sigurimeve, si dhe me spitalet jopublike për shërbime specifike mjekësore… Spitalet publike autonome mund të kontraktojnë shërbime joshëndetësore me sektorin privat, sipas legjislacionit në fuqi”, thekson ligji.

Vendimi i qeverisë

1. Ky vendim ka për qëllim të përcaktojë kriteret e ofrimit të shërbimeve të konsultave ambulatore për pacientë jashtë sistemit të referimit.

2. Spitalet publike, të cilat do të mundësojnë ofrimin e praktikës së dyfishtë, sigurojnë:

a) akses të garantuar për qytetarët në marrjen e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, bazuar në rregullat e ofrimit të shërbimit, sistemin e referimit, cilësinë e shërbimit në çdo hallkë të ofrimit të shërbimit në spital;

b) transparencë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore nëpërmjet sistemit të referimit, pritjes së pacientëve dhe qytetarëve në recepsione apo struktura të konsultave ambulatore, duke garantuar funksionalitetin e plotë të shërbimit spitalor;

c) sigurimin e shërbimeve spitalore nga konsultat ambulatore te shërbimi me shtretër në spital për të gjithë pacientët dhe qytetarët që kanë nevojë për kujdes shëndetësor;

ç) përmbushjen e detyrimeve kontraktuale dhe normave të aktivitetit të shërbimit  nga mjekët specialistë;

d) ofrimin e shërbimit spitalor publik për të gjithë pacientët, brenda dhe jashtë sistemit të referimit, sipas dispozitave ligjore në fuqi dhe rregullave për ofrimin e shërbimit shëndetësor në korsitë preferenciale.

3. Kriteret për ofrimin e praktikës së dyfishtë në spitalet publike janë, si më poshtë vijon:

a) Spitali të ketë përfituar kartën e autonomisë menaxheriale;

b) Spitali të garantojë përmbushjen e aktivitetit spitalor, bazuar në normativat e vendosura nga bordi i spitalit dhe të përmbushë indikatorët e aktivitetit mjekësor, të përcaktuar në kontratën e financimit të spitalit;

c) Spitali të disponojë normat e aktivitetit klinik për çdo mjek specialist, sipas shërbimeve përkatëse në regjimin, që përcaktohet praktika e dyfishtë.

4. Mënyra e ofrimit të praktikës së dyfishtë në shërbimin e konsultave ambulatore për pacientët jashtë sistemit të referimit realizohet, sipas procedurës së mëposhtme:

a) Mjeku specialist paraqet kërkesën në drejtorinë e spitalit publik për të ushtruar praktikën e dyfishtë, jashtë angazhimit kontraktual me punëmarrësin dhe kohës së punës, bazuar në këtë kontratë. Në kërkesën e tij përshkruhet orari i konsultave, të propozuara për pacientët jashtë sistemit të referimit, organizimi dhe mënyra e pritjes së pacientëve që do t’u ofrohet konsulta ambulatore;

b) Drejtoria e spitalit vlerëson kërkesën e mjekut specialist, aktivitetin e mjekut në shërbim, përmbushjen e normave në shërbimin ku ushtron profesionin dhe modalitetet e propozuara të organizimit të konsultave ambulatore, të propozuara në kërkesën e tij, brenda një afati 30 (tridhjetë)- ditor;

c) Pas vlerësimit, nëse kërkuesi përmbush kërkesat, firmoset kontratë dypalëshe me spitalin publik për ofrimin e praktikës dyfishe. Kontrata e shërbimit është me afat të përcaktuar dhe ka të përcaktuar tarifat përkatëse të shërbimit dhe mënyrën e shpërndarjes së tyre, bazuar në tarifat preferenciale të vendosura nga bordi i spitalit;

ç)  Numri i konsultave mujore për mjekët specialistë në sistemin e praktikës dyfishe përcaktohet në kontratën midis palëve dhe të ardhurat e mjekut nga praktika dyfishe nuk duhet të tejkalojnë 30 (tridhjetë) % të pagës bruto të tij.

5. Funksionimi i ofrimit të praktikës së dyfishtë në spitalet publike realizohet, si më poshtë vijon:

a) Spitali përcakton rregullat për kryerjen e praktikës së dyfishtë dhe vendos në dispozicion ambientet, sistemin e recepsionit dhe pritjes në strukturat e konsultave ambulatore, si dhe logjistikën e nevojshme mjekësore dhe jomjekësore për të kryer konsultën ambulatore;

b) Aktiviteti i praktikës së dyfishtë monitorohet nga grupi i posaçëm i monitorimit, i ngritur me vendim të bordit.

6. Spitali është përgjegjës për sistemin e mbledhjes së tarifës së konsultës ambulatore, duke mundësuar, sipas një sistemi periodik mujor, shpërndarjen e të ardhurave të grumbulluara te mjeku specialist nga llogaria e spitalit.

7. Të ardhurat që gjenerohen nga spitali nëpërmjet praktikës se dyfishtë do të futen në zërin e të ardhurave dytësore dhe do të përdoren nga spitali për të përmirësuar më tej cilësinë e shërbimit të ofruar, bazuar në legjislacionin në fuqi.

8. Autoritetet drejtuese të strukturës spitalore publike afishojnë listën e stafit mjekësor të angazhuar në regjimin e praktikës së dyfishtë dhe tarifat përkatëse të shërbimit dhe i bëjnë ato transparente për publikun.

9. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe strukturat spitalore të sistemit shëndetësor publik për zbatimin e këtij vendimi. /Pamfleti

rama manastirliu spitalet publike

Lini një Përgjigje