TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Qershor 2023, 14:27

"Jam sëmurë, se përballoj dot burgun"/ GJKKO nuk bindet, cakton ekspertë të rinj për vlerësimin e shëndetit të Lefter Allës

Shkruar nga Pamfleti
"Jam sëmurë, se përballoj dot burgun"/ GJKKO nuk
Lefter Alla

Gjykata e Posaçme ka caktuar një grup të ri ekspertësh mjekësorë për të vlerësuar gjendjen shëndetësore për ish kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla i cili mbahet në paraburgim nën akuzën për korrupsion.

Ekspertët e parë e përcaktuan gjendjen e tij të rëndë dhe se i rrezikohej jeta në paraburgim.

Ky akt-ekspertize nuk e bindi SPAK-un, i cili kërkoi një grup të ri ekspertësh, ndërsa ditën e sotme GJKKO pranoi këtë kërkesë.

Kujtojmë se Alla u arrestua për abuzim me një tender me vlerë mbi 2.8 milion euro, me akuzën e “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Alla është arrestuar së bashku me 12 persona të tjerë, 7 prej tyre zyrtarë të Bashkisë.

Arrestimi i tyre është bërë pasi akuzohen se kanë favorizuar të afërmin e Allës, Aqif Koneshën, i cili ka kryer punimet e ujësjellësit të ri. Arrestimet janë bërë me urdhër të SPAK, ndërsa me 15 dhe 16 mars janë ushtruar kontrolle nga oficerët e BKH-së.

Objekt i kontrolleve ka qenë edhe shtëpia e vëllait të Lefter Allës, si edhe dhjetëra banesa të tjera. Dy prej të arrestuarve janë lënë në arrest shtëpiak, ndërsa kryebashkiaku Lefter Alla ka rënë në pranga mëngjesin e 16 marsit. Sipas SPAK, bëhet fjalë për një tender rehabilitimi i ujërave të zeza të lagjes së vjetër të qytetit të Bulqizës.

Nga hetimet ka dyshime të forta se kryebashkiaku Alla, në bashkëpunim me nënkryetaren e Bashkisë Lleshi, si edhe punonjësit e tjerë kanë favorizuar dy kompanitë ‘BOE Egland shpk’, dhe ‘BE-IS shpk’, gjatë procedurës së prokurorimit publik. Ky favorizim i këtyre dy kompanive është bërë me qëllim që më pas punimet për ujësjellësin t’i kryejë kompania ‘OE 2AF Albania shpk’, e cila është në administrimin e të afërmit të Allës, Aqif Koneshës.

Kryebashkiaku Alla në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë kanë miratuar kritere për të favorizuar dy firmat ‘BOE Egland shpk’ dhe ‘BE-IS shpk’ që morën pjesë në tender. Pasi i shpallën fituese këto firma, punimet për uijësjellësin realizoheshin nga firma ‘OE 2AF Albania shpk’. Bëhet fjalë për tenderin “Ndërtimi rrjetit furnizimit dhe rrjetit shpërndarës Ujësjellësi dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ , Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”, me vlerë rreth 3 mln euro, me afat kohor 10 mujor. Kompanitë që dolën fituese të tenderit kanë si administrator Rasim Dacin, për ‘BOE Egland shpk’, ndërsa administratori i ‘BE-IS shpk’, është Kastriot Ibrahimaj.

Ndaj kryebashkiakut Alla dhe nënkryetares Lleshi rëndojnë akuzat për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Ndërkohë, ndaj të afërmit të Allës, Aqif Konesha rëndon akuzat për veprë penale “Falsifikimi i dokumenteve”. Po për falsifikim dokumentesh akuzohen edhe dy administratorët, Rasim Daci dhe Kastriot Ibrahimaj, ky i fundit është lënë në arrest shtëpie.

Masat e sigurisë për 12 të arrestuarit

-Lefter Alla, kryetari i Bashkisë së Bulqizës, (arrest me burg), akuzohet për kryerjen e veprave penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”

-Enkeleda Lleshi, nënkryetarja e Bashkisë së Bulqizës, (arrest me burg) akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, dhe “Shpërdorimi i detyrës”,

-Rubin Kola, Inxhinier urbanistike, (arrest me burg), akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”

-Erion Isaku, Drejtor i Urbanistikës, (arrest me burg), akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”

-Arsen Gjoka, Drejtor i NJVKSH Bulqizë, (arrest me burg), akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”

-Kujtim Zogu, Drejtor i Mbrojtjes Civile,(arrest me burg), akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”

-Denis Xholi, Ish Drejtor Juridik, (arrest me burg), “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”

-Rasim Daci, administrator i ‘BOE Egland shpk’, (arrest me burg), akuzohet për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”

-Dalo Gazidedja, (arrest me burg), akuzohet për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”

-Aqif Konesha, administrator i ‘OE 2AF Albania shpk’ , (arrest me burg), akuzohet për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”

-Kastriot Ibrahimaj, administrator i 'BE-IS shpk’, (arrest shtëpie), akuzohet për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”

-Ana Nishku (arrest shtëpie), akuzohet për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve.

lefter alla gjkko eksperte te rinj

Lini një Përgjigje