Reperi Rigels Rajku, i njohur si Noizy ka reaguar për herë të parë për djegien e "Zins" teksa ka publikuar një foto të kushëririt të tij Eraldo Musteqja, i arrestuar tashmë si autor i dyshuar i zjarrvënies së lokalit të tij në zonën e Currilave në Durrës.
Në një postim në rrjete sociale, Noizy shkruan se Eraldo është rritur nga familja e tij që në fëmijëri dhe se ka ndërruar fenë, ndërsa shton se është bërë besimtar ekstremist.
Sipas Noizyt, 26-vjeçari kishte besime të forta se lokalet s’duhet të shesin alkool dhe se muzika është haram, prandaj vendosi që të bëjë këtë akt terrorist. Më tej, reperi shkruan që shpreson që Eraldo të bëhet më mirë dhe të kuptoj gabimin ndërsa shton se s’mund ta urrej por i ka lënë në dorë gjithçka Zotit.
“Ky është Eraldo, i rritur nga familja ime që në fëmijëri, Eraldo ndërroi fe, u bë një besimtar ekstremist, dhe kishte besime të forta se lokalet sduhet të shesin alkol dhe se muzika është haram. Prandaj vendosi që të bëjë atë akt terrosit. Gjithsesi jeta vazhdon, unë dhe familja ime jemi të gjithë mirë. Uroj që Eraldo të bëhet më mirë dhe të kuptojë gabimin. Unë s’mund ta urrej sepse jam rrit me të, ia kam lënë në dorë Zotit dhe drejtësisë. The beautiful @zins_durres është shumë mirë dhe përherë do të jetë mirë. Ziliqar dhe keqbërës do të ketë përherë, por varet sa i fortë qëndron ti dhe se si e menaxhon situatën. Love you lil bro”, shkruan Noizy.
Mësohet se gjatë natës lokali 'Zins" në zonën e Currilave në pronësi të reperit Noizy është përfshirë nga flakët. Kjo është hera e dytë pas 11 qershorit që digjet brenda një muaji lokali i këngëtarit, ndërsa ngjarja dyshohet të jetë e qëllimshme.
Eraldo Musteqja është vënë në prangat e policisë së Durrësit, pasi dyshohet se i ka vënë zjarrin lokalit të Noizyt në zonën e Currilave. Mësohet se 26 vjeçari është kushëri me këngëtarin e njohur.
Ai është arrestuar në flagrancë mëngjesin e sotëm pasi u kap duke i vënë zjarrin lokalit të reperit për herë të dytë. Ndërsa më herët raportohet se i ka vënë zjarrin edhe banesës së nënës së këngëtarit.
"Finalizohet operacioni policor i koduar “Përsëritësi”, për zbardhjen e tre rasteve të zjarrvënieve ndaj biznesit dhe banesës së të njëjtës familje. I vuri 2 herë (mëngjesin e sotëm dhe më datë 11.06.2023) zjarrin një lokali në lagjen “Currilat”, si dhe derës së banesës së nënës së pronarit të këtij lokali, identifikohet dhe arrestohet në flagrancë 26-vjeçari. I ndaluari, lidhje familjare e shtetasve të dëmtuar. Në momentin e arrestimit, 26-vjeçarit iu sekuestrua një mjet prerës (thikë).
Si rezultat i punës intensive hetimore për disa raste zjarrvëniesh, të kryera gjatë periudhës 10.06.2023-29.06.2023, si dhe në kuadër të monitorimit të vazhdueshëm të situatës në nivel qarku, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Përsëritësi”, në kuadër të të cilit u identifikua, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi E. M., 26 vjeç.
Nga veprimet e shpejta dhe profesionale policore, 26-vjeçari (lidhje familjare e shtetasve të dëmtuar) u kap në flagrancë mëngjesin e sotëm, pasi i kishte vënë zjarrin një lokali në lagjen “Currilat”, në pronësi të shtetasit B. R. Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se i njëjti shtetas i ka vënë zjarrin të njëjtit lokal, më datë 11.06.2023, si dhe derës së banesës së nënës së pronarit të këtij lokali, më datë 10.06.2023. Në momentin e arrestimit, 26-vjeçarit iu gjet dhe iu sekuestrua një mjet prerës (thikë). Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të këtyre rasteve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.", njofton policia.
Lini një Përgjigje