Këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) nis gjyqi në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi, si dhe tre të pandehurve të tjerë për të njëjtën dosje hetimore.
Meta, i cili akuzohet për pastrim parash, korrupsion pasiv dhe fshehje pasurie, ka kërkuar që seancat gjyqësore të transmetohen drejtpërdrejt për publikun, me qëllim garantimin e transparencës së plotë.
Për këtë, ai i është drejtuar më herët gjykatës me një letër të posaçme, ku thekson se transparenca dhe llogaridhënia janë detyrim për çdo institucion dhe funksionar publik.
Kreu i Partisë së Lirisë u arrestua më 21 tetor 2024, teksa po hynte në Tiranë, në një operacion të forcave speciale. Pamjet e arrestimit mbeten dalja e tij e fundit publike.
Deri më tani, Meta i ka mohuar të gjitha akuzat, ndërsa pritet që në këtë proces të ketë për herë të parë një përballje të drejtpërdrejtë me prokurorët në sallën e gjyqit, në prani të kamerave.
Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, teksa foli për gjyqin në themel që do të nisë sot në orën 11:00 ndaj ish-Presidentit, e konsideroi procesin si “gjyqi i shekullit”.
“Do jetë proces gjyqësor i hapur. Ai ka kërkuar që çështja e tij të transmetohet Live në media. Sot do nisim një rrugëtim ligjor që ndoshta është edhe gjyqi i shekullit, sepse s’ndodh gjithmonë që një ish-President të vihet përballë togave të zeza”, tha Cakrani në emisionin “Dita Jonë”.
I pyetur a do ta takojë Ilir Metën ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, Cakrani tha “Zonja Kryemadhi është pjesë e procesit gjyqësor, dhe të kuptojmë diçka, që e gjithë çështja është rreth zonjës Kryemadhi. Znj. Kryemadhi ka marrë të gjitha përgjegjësitë sa i takon asaj, sepse ajo s’është një shtëpiake, ka qenë një njeri aktiv në politikë, ka qenë deputete, ka qenë pjesëmarrje në çdo vendim që është marrë nga Kuvendi, edhe nga LSI e kështu me radhë. Disa përgjegjësi që i takojnë znj.Kryemadhi, kanë vendosur të bëjnë bashkëpërgjegjës edhe z.Meta, që s’është e drejtë nga pikëpamja procedurale, ligjore”,.
Lini një Përgjigje