TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Prill 2026, 08:36

Ndeshja Elbasani-Vllaznia, policia publikon planin e masave: Nuk lejohet grumbullimi i tifozëve!

Shkruar nga Pamfleti

Ndeshja Elbasani-Vllaznia, policia publikon planin e masave: Nuk lejohet

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka hartuar një plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit mes “AF Elbasani” dhe “Vllaznia”, e cila do të luhet sot, më 27 prill 2026, në orën 19:00, në stadiumin “Elbasan Arena”.

Në kuadër të këtij plani, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në zonën përreth stadiumit, ndërsa lëvizja do të lejohet vetëm për mjetet e pajisura me autorizim të posaçëm, ku duhet të jenë të specifikuara edhe targat.

Policia njofton se do të organizojë dhe monitorojë lëvizjen e tifozëve sipas itinerareve të përcaktuara, duke mos lejuar devijime apo grumbullime jashtë tyre.

Gjithashtu, para hyrjes në stadium do të ushtrohen kontrolle të imtësishme për sende të kundërligjshme, si mjete të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë apo lëndë piroteknike. Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi, ndërsa hyrja nuk do të lejohet për personat pa dokument apo për të miturit e pashoqëruar nga prindi ose kujdestari ligjor.

Po ashtu, nuk do të lejohen të hyjnë në stadium tifozë të identifikuar më parë si problematikë në aktivitete sportive.

Policia e Elbasanit u bën thirrje tifozëve dhe qytetarëve për mirëkuptim dhe bashkëpunim në zbatimin e këtyre masave, si dhe rekomandon shmangien e lëvizjes me automjete në rrugët pranë stadiumit gjatë orarit të ndeshjes.

Lini një Përgjigje