Prokuroria e Elbasanit i ka kërkuar Autoritetit Rrugor Shqiptar gjithë dokumentacionin që lidhet me procedurat e prokurimit për mirëmbajtjen e aksit Librazhd-Prrenjas, pas shembjes së segmentit që bllokoi për disa ditë lëvizjen drejt juglindjes së vendit.
Sipas të dhënave nga grupi hetimor, ARRSH pritet t’i dorëzojë materialet brenda një jave, pasi bëhet fjalë për një dosje me volum të madh dokumentesh.
Hetimi është fokusuar te aksi ekzistues dhe konkretisht te tenderi i mirëmbajtjes së rrugës. Prokuroria po verifikon mënyrën si është zhvilluar procedura e prokurimit dhe kushtet e kontratës së lidhur mes ARRSH-së dhe kompanisë fituese.
Nën verifikim është vendosur edhe ndërtimi i rrugëve provizore, të përdorura përkohësisht deri në përfundimin e punimeve në aks.
Një tjetër pjesë e hetimit lidhet me lejen për marrjen e inerteve në lumin Shkumbin dhe zbatimin e saj. Sipas të dhënave të mbledhura deri tani, në disa zona është konstatuar shfrytëzim masiv i lumit.
Të dhënat e Open Data tregojnë se tenderin për mirëmbajtjen e ka fituar kompania InfraKonsult, në pronësi të Redi Strugës. Nga verifikimet e para dyshohet se kompania nuk ka përmbushur detyrimet kontraktore, çka po shqyrtohet si një nga elementët që mund të kenë ndikuar në shembjen e aksit.
Prokuroria po heton veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, “Shkatërrimi i rrugës” dhe “Ndotja e ajrit, ujit apo tokës”.
Qarkullimi në segment është rikthyer, por problematika në zonë mbetet e pranishme. Për disa ditë, automjetet nuk lëvizën në këtë aks për shkak të rrëshqitjes së tokës dhe fundosjes së urës.
Lini një Përgjigje