Vjollca Shkëmbi, nëna e foshnjës dy muajshe që humbi jetën pak ditë më parë, ka ngritur akuza ndaj sistemit shëndetësor, duke pretenduar se fëmija i saj u nxor para kohe nga spitali në Tiranë, pavarësisht se kishte lindur prematur dhe kishte nevojë për kujdes të specializuar.
Mes lotësh, ajo rrëfen se gjendja e foshnjës ishte e brishtë që në fillim dhe sipas saj mjekët duhej ta mbanin nën vëzhgim për më shumë kohë.
“Fajet i ka shteti dhe spitali i Tiranës që e nxorri para kohe. E kuptova që fëmija nuk ishte mirë, sepse nuk hante dhe nuk pinte. Kërkoj që policia të marrë masa dhe të hetohet kjo ngjarje”, shprehet nëna për "Syri Tv".
Edhe babai i foshnjës, Arben Vesholliu, thotë se familja bëri gjithçka për ta mbajtur nën kujdes fëmijën, por sipas tij gjendja u rëndua për shkak të lindjes së parakohshme dhe mungesës së trajtimit të duhur mjekësor.
Ai tregon se foshnja u dërgua fillimisht në Korçë, më pas në Bilisht dhe sërish në Tiranë, ndërsa gjendja e saj vijoi të përkeqësohej.
“Na thanë se duhet të qëndronte disa ditë në Korçë, por nuk e mbajtën. E çova në Bilisht dhe më pas në Tiranë. Kur u ktheva në Pogradec më thanë se djali kishte ndërruar jetë”, rrëfen babai.
Edhe gjyshja e foshnjës, Alitrie Shkëmbi, thotë se fëmija kishte lindur me probleme dhe se rritja e tij ishte e vështirë.
Sipas saj, foshnja kishte infeksion në mushkëri, ndërsa shpesh nuk pranonte të ushqehej dhe qëndronte në gjumë për periudha të gjata.
Pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, mjekët në Korçë vendosën ta dërgojnë foshnjën për trajtim më të specializuar në pediatrinë e Tiranës, ku edhe ndërroi jetë.
Familjarët kërkojnë zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe marrjen e përgjegjësive nëse konstatohet neglizhencë mjekësore.
Lini një Përgjigje