
Rreth 70 fëmijë të një kopshti publik në qytetin e Gramshit, janë paraqitur në fillim të kësaj jave në spital me simptoma helmimi të rënda, të tilla si të vjella, temperaturë dhe dhimbje barku.
Dyshimet e para të autoriteteve shëndetësore lidhen me një helmim të shkaktuar nga bakteri salmonela, ndërsa analizat laboratorike janë ende në proces për të konfirmuar burimin dhe shkallën e kontaminimit.
Sipas burimeve nga terreni, autoritetet kanë marrë mostra të ushqimeve të shërbyera në institucion, si dhe nga uji dhe ambientet e kuzhinës.
Një nga pistat kryesore të hetimit është furnizuesi i ushqimit me katering, kompania “Nelsa shpk”, e cila sipas dokumenteve zyrtare ka fituar tenderin për furnizimin e kopshteve dhe çerdheve në bashkinë Gramsh që nga qershori i vitit 2023.
Kontrata me këtë kompani është e vlefshme për 24 muaj dhe parashikon furnizimin e përditshëm të qendrave arsimore për fëmijët, përfshirë konviktin e shkollës së mesme, me produkte ushqimore të standardit të lartë.
“BalkanWeb” ka zbuluar se kompania “Nelsa shpk” ka një historik të gjatë të përfshirjes në tenderë publikë, jo vetëm në bashkinë Gramsh, por edhe në disa qytete të tjera të vendit dhe në institucione shtetërore në Tiranë.
Përveç furnizimit me ushqime katering të çerdheve, kopshteve dhe konviktit të shkollës së mesme në bashkinë Gramsh, “Nelsa shpk” furnizon me ushqime dhe spitalet e burgjeqt./ Balkanweb
Lini një Përgjigje