
Thellohet skandali me helmimin e fëmijëve në Gramsh. Pasi u mbajt e fshehur ngjarja në kopshtin shtetëror, sot kanë nisur të reagojnë institucionet, por si duket nuk janë marrë vesh me njëri-tjetrin.
Fillimisht drejtoresha e Spitalit deklaroi se janë paraqitur 3 fëmijë, dy me simptoma të lehta dhe një me të rënda. Ndërkohë Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor shprehet se ka pasur vetëm një fëmijë me simptoma të lehta që ka marrë kujdes shëndetësor.
Nga ana e tyre, vetë prindërit pretendojnë se të gjithë fëmijët kanë pasur të njëjtat simptoma, diarre, të vjella temperaturë. Analizat paraprake konstatojnë dyshime për salmonelë. Duke qenë se të gjithë fëmijët kanë ngrënë të njëjtin ushqim, vështirë të besohet pretendimi i organeve shëndetësore.
Sqarimi i Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor
Në vijim të raportimeve në media mbi një situatë të ndodhur në një institucion parashkollor në qytetin e Gramshit, sqarojmë se Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor është vënë menjëherë në ndjekje të rastit.
1 fëmijë është paraqitur me shqetësime të lehta gastrointestinale dhe është referuar për analiza laboratorike nga mjekja pediatre përkatëse.
Në kuadër të hetimit epidemiologjik janë marrë gjithsej 76 mostra nga fëmijët dhe punonjësit, dhe janë në proces analizimi.
Rezultatet e analizave nuk kanë dale ende përfundimtare dhe priten të jenë të disponueshme ditën e nesërme, më 25 maj 2025.
NJVKSH Gramsh ka njoftuar Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU) dhe Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) dhe po bashkëpunojnë ngushtësisht me strukturat vendore për të garantuar një vlerësim të plotë dhe të kujdesshëm të situatës.
Theksojmë se të gjitha veprimet janë ndërmarrë në kohë dhe me profesionalizëm, dhe nuk ka vend për shqetësim të shtuar në këtë fazë.
Çdo informacion i mëtejshëm do të bëhet publik në mënyrë transparente, sapo të përfundojnë analizat dhe verifikimet përkatëse.
Lini një Përgjigje