
Drejtoresha e Spitalit të Gramshit, Greta Lena, ka reaguar lidhur me rastin e fëmijëve të helmuar të një kopshti në Gramsh, të cilët dyshohet se kanë konsumuar ushqim me salmonelë.
Drejtoresha e spitalit tha se në spital u paraqitën 3 fëmijë në total, njëri me simptoma më të rënda dhe dy të tjerë me simptoma të lehta. Paraprakisht dyshohet se helmimi ka ardhur nga ushqimi që fëmijët konsumuan në kopshtin shtetëror.
Drejtoresha e Spitalit të Gramshit, bën me dije se gjendja shëndetësore e fëmijëve të paraqitur në spital është nën kontroll. Ajo shton se pas analizave, u konfirmua prezenca e bakterit salmonelë.
Ndërkohë, kopshti që fëmijët e mitur frekuentojnë i është nënshtruar dezinfektimit.
“Fillimisht në urgjencë është paraqitur një fëmijë me simptoma më të rënda me temperaturë të lartë, diarre dhe të vjella. E referuam për ekzaminime te higjiena dhe analizat konfirmuan prezencë të bakterit salmonelë.
Më pas në spital mbërritën edhe dy fëmijë të tjerë me simptoma më të lehta frekuentues të kopshtit, ku analizat laboratorike konfirmuan sërish prezencë salmonele.
U krye menjëherë dezinfektimi i ambjenteve të kopshtit dhe në vijim të paktën në spital nuk janë paraqitur më raste fëmijësh me simptoma”, njoftoi drejtoresha e Spitalit të Gramshit.
Lini një Përgjigje