
Një numër i konsiderueshëm fëmijësh të një kopshti publik në qytetin e Gramshit u shtruan në spital me simptoma të rënda të helmimit ushqimor nga salmonela.
Prindërit e fëmijëve kanë paralajmëruar protestë ditën e hënë lidhur me këtë skandal. Ata shprehen se do të dalin në tubim për të sensibilizuar opinion publik lidhur me rrezikun që ekziston nga mungesa e përgjegjësisë së furnizuesve me ushqim të kopshteve publikë dhe jo vetëm.
Deri më tani, nuk është bërë publik asnjë informacion zyrtar për masat e marra ndaj stafit të kuzhinës apo ndaj subjektit privat që furnizon ushqimin.
Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kanë nisur hetimin, por pohojnë për mediat se “nuk ka asnjë mekanizëm urgjent për pezullimin e menjëhershëm të kontratave me subjektet e dyshuara për ndotje ushqimore”.
Në kuzhinën e kopshtit nuk kishte frigoriferë funksionalë për ruajtjen e produkteve të ndjeshme, si mishi dhe qumështi, një fakt i konstatuar edhe nga specialistë të AKU-së që kanë ndërhyrë pas rastit. Drejtuesit e institucionit arsimor nuk kanë pranuar të japin komente, ndërsa një njoftim i shkurtër u publikua nga Bashkia e Gramshit, ku thuhej se “po bëhen verifikimet përkatëse dhe pritet përgjigja e analizave laboratorike”.
“Fëmija im ishte me temperaturë 39 dhe nuk pushonte së vjellë. E çuam në urgjencë dhe vetëm atëherë mësuam se kishte edhe të tjerë në të njëjtën gjendje”, thotë një prind që kërkon të mbetet anonim.
“Kopshti nuk na njoftoi për asgjë. As nuk e dinim se mund të ishte helmim”, shprehet një tjetër prind.
Ata kërkojnë përgjigje nga institucionet dhe ndëshkime. Shumë prindër janë të shqetësuar që rasti mund të mbulohet, ashtu siç ka ndodhur me incidente të tjera të ngjashme në vite, ku mungesa e hetimeve të plota ka bërë që askush të mos mbajë përgjegjësi.
Lini një Përgjigje