
Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i ka kërkuar GJKKO-së që t’i vendosë në dispozicion të gjithë fashikujt e dixhitalizuar të dosjes. Plarent Ndreca u shpreh se në dosje ka përgjime që vetë mbrojtja nuk i ka dëgjuar, por është njohur me to vetëm përmes procesverbaleve, të cilat shtoi se janë interpretime të SPAK.
“Në dosje ka përgjime, por ne nuk i kemi dëgjuar dhe nuk kemi CD-të; kemi vetëm disa procesverbale që, sipas nesh, janë interpretime. Ne duam të kuptojmë vetë kontekstin. Kërkojmë që të na vihen në dispozicion, në formë të dixhitalizuar, të gjithë fashikujt hetimorë”, tha Plarent Ndreca.
Po ashtu, Ndreca ripërsëriti kërkesën që Veliaj të mos qëndrojë në kafaz gjatë zhvillimit të seancave.
“Veliaj të nxirret nga kafazi në gjykatë, si në Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, ku nuk pati asnjë problem. Në të kundërt, cenohet barazia në proces. Merrni masa për këtë”, tha Plarent Ndreca.
Seanca në GJKKO për dosjen Veliaj u zhvillua me debate mes avokatit Plarent Ndreca dhe prokurorit të SPAK, Altin Dumani, pas kërkesës së Veliaj që seanca të zhvillohej live.
Dumani sqaroi se nuk ka asnjë problem që seancat të zhvillohen live, por sipas tij nuk mund të ekspozohen dëshmitarët dhe kjo nuk lejohet as në vende të rajonit apo në BE dhe SHBA.
Dumani tha se Veliaj po përpiqet të zvarrisë procesin me kërkesa artificiale, por ky pretendim u mohua nga avokati i kryebashkiakut, Plarent Ndreca.
Pjesë nga diskutimet
Altin Dumani: Ne si organ akuze nuk kemi problem, por transmetimi live mund të shqetësojë procesin. Në çështjet penale ku ka dëshmitarë, veçanërisht bashkëpunëtorë të drejtësisë, nuk lejohet transmetimi live. Kjo nuk ndodh as në rajon, as në Evropë dhe as në gjykatat federale në SHBA. Mund të lejohen kamera për disa pamje filmike, por dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët nuk mund të ekspozohen”, tha Dumani.
Ols Dado: Pse vetëm ti do të flasësh? Prit, se ka kërkuar fjalën prokurori.
Altin Dumani: Kemi dy muaj që kemi kaluar në themel dhe vijojmë me seancat paraprake. Avokatët e Veliajt, në mënyrë të përsëritur, paraqesin kërkesa artificiale, sipas vlerësimit tonë, me qëllim zgjatjen e shqyrtimit gjyqësor.
Plarent Ndreca: Ne nuk kemi qëllim të zvarrisim procesin. I vetmi që mbahet në burg është Erion Veliaj dhe ai ka interes që ky proces të ecë sa më shpejt. Ne nuk pranojmë të vijojmë pa u garantuar një proces i rregullt ligjor.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa SPAK e dërgoi kërkesën për ta kaluar dosjen për gjykim vetëm 5 muaj më parë. SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Lini një Përgjigje