
Shtatë kandidatët që vijojnë garën për kreun e BKH-së do të zhvillojnë sot testimin e rradhës, atë me ese, si dhe testin logjik. Të dy testimet do të zgjasin 105 minuta, ndërsa kandidatët që janë në garë do të paraqiten në SPAK në orën 11:00.
Të dy testet janë pjesë e procesit të vlerësimit profesional dhe analitik të kandidatëve për një nga pozicionet më të rëndësishme në sistemin e drejtësisë penale në vend.
SPAK ka njoftuar edhe për fazën pasuese të garës. Të njëjtët kandidatë do t’i nënshtrohen testit të poligrafit, i cili shërben për të garantuar integritetin dhe besueshmërinë e aplikantëve që synojnë të marrin drejtimin e BKH-së.
Ndërkohë testimi I parë që është zhvilluar më 10 korrik ishte ai fizik, ku kandidatët I janë nënshtruar ushtrimeve si pompa, 300 metra sprint dhe 2.4 kilometra vrapim.
Momentalisht BKH drejtohet nga Aida Hajnaj, e cila përfundon mandatin më 31 gusht. Kjo do të thotë se SPAK dhe KLP duhet që brenda kësaj date të përzgjedhin emrin që do të drejtojë Byronë Kombëtare të Hetimit pas largimit të drejtueses aktuale.
Në garën për kreun e BKH-së janë: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta.
Në momentin kur u hap gara për Kreun e BKH-së shprehën interes 13 kandidatë, por 6 prej tyre u skualifikuan. Mes emrave të skualifikuar ishte edhe Haki Çako, ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Lini një Përgjigje