
Fundjava dhe festa e Fitër Bajramit kanë sjellë shtim të lëvizjeve nga Kosova drejt Shqipërisë, me fluks të lartë që ka nisur që në orët e para të mëngjesit.
Sipas të dhënave të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Emigracionin Kukës, nga pika kufitare e Morinës kanë hyrë deri tani mbi 3 mijë qytetarë me më shumë se 900 mjete të vogla. Në këtë shifër nuk përfshihen autobusët me grupe të organizuara. Kufirin e kanë kaluar edhe shumë udhëtarë me motorë.
Lëvizje ka pasur edhe nga Shqipëria drejt Kosovës, por në nivel më të ulët. Të dhënat e palës kosovare në pikën kufitare të Vërmicës tregojnë se në Kosovë kanë hyrë 1 mijë e 850 shtetas shqiptarë me rreth 700 mjete.
Në të dyja pikat kufitare po zbatohet procedurë e përshpejtuar. Qytetarët që udhëtojnë me targa të Kosovës gjatë fundjavave dhe festave zyrtare po kalojnë pa kontrolle të detajuara. Në ditët e tjera të javës, kontrollet vazhdojnë normalisht deri në fund të prillit.
Lini një Përgjigje