AMP ka nisur një operacion në Sarandë, Ksamil dhe zonat përreth, në kuadër të hetimeve për përfshirjen e disa efektivëve në ndërtime pa leje. Burime paraprake bëjnë me dije se priten arrestime në Komisariatin e Policisë Sarandë, ndërsa operacioni vijon ende.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ndërmarrë këtë të premte një operacion të gjerë në qytetin e Sarandës, Ksamil dhe disa zona të tjera përreth, në kuadër të një hetimi që dyshohet se përfshin efektivë të policisë.
Burime paraprake bëjnë me dije se aksioni lidhet me dyshime për përfshirjen e punonjësve të policisë në raste të ndërtimeve pa leje, si dhe me mosveprim apo favorizim të subjekteve që kanë kryer ndërtime në kundërshtim me ligjin.
Mësohet se agjentët e AMP-së kanë zhvilluar kontrolle dhe verifikime në ambientet e Komisariatit të Policisë Sarandë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që në orët në vijim të ketë shoqërime dhe arrestime të efektivëve të dyshuar.
Operacioni po zhvillohet në bashkëpunim me strukturat hetimore dhe deri më tani nuk ka një reagim zyrtar mbi numrin e personave të përfshirë apo akuzat konkrete që rëndojnë ndaj tyre.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se fokusi i operacionit është evidentimi i rasteve kur punonjës policie dyshohet se kanë lejuar ose kanë favorizuar ndërtime pa leje në zonat turistike të jugut, kryesisht në Sarandë dhe Ksamil.
Ndërkohë, AMP pritet të dalë me një njoftim zyrtar pas përfundimit të operacionit, i cili vijon ende.
Lini një Përgjigje