
Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim një efektiv policie, i akuzuar për përndjekje ndaj ish-të dashurës së tij, me të cilën kishte pasur një lidhje 17-vjeçare.
I pandehuri është shtetasi me inicialet A.M., ndaj të cilit rëndon akuza për veprën penale “Përndjekja”. Sipas organit të akuzës, hetimet nisën pas kallëzimit të bërë më 10 shkurt 2025 nga shtetasja L.C., e cila deklaroi se ishte ndarë nga efektivi në vitin 2024, por ai kishte vijuar ta kontaktonte dhe shqetësonte vazhdimisht.
Sipas dosjes hetimore, efektivi dyshohet se ka kryer veprime të përsëritura përmes telefonatave dhe kontakteve fizike, duke i ushtruar presion psikologjik ish-partneres dhe duke i krijuar asaj gjendje ankthi dhe frike për sigurinë personale. Prokuroria thotë se kallëzuesja kishte bërë edhe denoncime të tjera në Fier dhe Durrës lidhur me të njëjtën situatë.
Pas administrimit të provave dhe përfundimit të hetimeve, Prokuroria e Fierit ka arritur në përfundimin se ekzistojnë elementët e veprës penale të përndjekjes dhe ka vendosur ta dërgojë çështjen për gjykim.
"Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin A.M, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Përndjekja” parashikuar nga neni 121/a prg.2 i Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr. 295 të vitit 2025 rezultoi e provuar se, në datën 10.02.2025, shtetësja L.C., ka bërë kallëzim ndaj shtetasit A.M, me detyrë punonjës policie, me të cilin ka pasur një lidhje prej 17 vitesh dhe është ndarë në vitin 2024. Shtetasi A.M. gjatë kësaj periudhe me anë të veprimeve të përsëritura ka ngacmuar të kallëzuarën me anë të komunikimit telefonik por edhe fizik duke i ushtruar presion psikologjik, duke i shkaktuar një gjendje e vazhdueshme dhe të rëndë ankthi apo frike për sigurinë vetjake.
Për këtë fakt, kallëzuesja ka paraqitur disa kallëzime në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier dhe Durrës.
Prokuroria thotë se në përfundim të hetimit rezultoi e provuar se i pandehuri A.M ka konsumuar elementë të veprës penale “Përndjekja” parashikuar nga neni 121/a prg.2 i K.Penal", njpfton policia.
Lini një Përgjigje