TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet15 Maj 2026, 12:07

Ambasada e SHBA në Tiranë: Shqipëria duhet të forcojë mbrojtjen kibernetike

Shkruar nga Pamfleti

Ambasada e SHBA në Tiranë: Shqipëria duhet të forcojë

Zëvendës Shefja e Misionit në Detyrë në Ambasadën Amerikane në Tiranë, Kathryn Hammond, deklaroi se siguria kibernetike luan një rol kyç si në zhvillimin ekonomik, ashtu edhe në mbrojtjen kombëtare të vendeve.

Gjatë një aktiviteti të organizuar për prezantimin e teknologjive amerikane në fushën e mbrojtjes kibernetike, Hammond theksoi se sfidat në hapësirën digjitale janë tashmë të lidhura ngushtë me sigurinë dhe sovranitetin shtetëror.

Në fjalën e saj, ajo vlerësoi progresin e Shqipërisë në transformimin digjital, duke përmendur avancimin e shërbimeve elektronike, modernizimin e sektorit financiar dhe zhvillimin e infrastrukturës energjetike. Sipas saj, ky zhvillim duhet të shoqërohet me investime serioze në mbrojtjen e sistemeve digjitale.

“Siguria kibernetike tashmë është e pandashme nga rritja ekonomike dhe siguria kombëtare. Siç e ka bërë të qartë Presidenti Trump, mbrojtja e infrastrukturës sonë digjitale nga kërcënimet e huaja nuk është vetëm politikë e mirë është thelbësore për sovranitetin dhe sigurinë. Shqipëria ka bërë hapa mbresëlënës në transformimin digjital, nga qeverisja elektronike dhe modernizimi financiar deri te infrastruktura energjetike. Por progresi kërkon përgjegjësi. Këto sisteme duhet të mbrohen me teknologjinë më të besueshme dhe më të zhvilluar në dispozicion,” u shpreh Hammond.

Aktiviteti u zhvillua në një kohë kur Shqipëria po zgjeron përdorimin e teknologjisë dhe shërbimeve online në sektorë të rëndësishëm të administratës dhe ekonomisë, duke e bërë mbrojtjen kibernetike një çështje gjithnjë e më të rëndësishme.

Lini një Përgjigje