SPAK ka rrëzuar kërkesën e Plaurent Dervishajt dhe mbrojtësve të tij për përjashtimin e trupës gjykuese nga procesi.
“Nuk morët parasysh provat që ne kërkuam të merren, nuk garantoni paanshmëri, s’e kuptojmë nxitimin tuaj”, janë shprehur avokatët.
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar burgim të përjetshëm për Dervishajn në lidhje me atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahos, i njohur si “Rrumi”, ngjarje në të cilën humbi jetën shoferi Andi Maloku.
“Kemi bërë 800 kërkesa e s’na i merr parasysh”, i ka thënë Dervishaj trupës gjykuese.
Gjykata vendosi shtyrjen e seancës për më 29 maj, kur pritet të paraqiten konkluzionet e mbrojtjes.
Ndërkohë, për Julian Meçajn, i cili po gjykohet në të njëjtën dosje, SPAK ka kërkuar një dënim prej 35 vitesh burg.
Dervishaj dhe Meçaj akuzohen për atentatin e ndodhur në mbikalimin e Shkozetit më 1 nëntor 2019, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën dy të tjerë.
Lidhur me atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, ndodhur shtatë vite më parë, prokurori i posaçëm Andand Xholi pretendon se Plaurent Dervishaj, i konsideruar pjesë e bandës së Durrësit, ka bashkëpunuar jo vetëm me Julian Meçajn, por edhe me persona të tjerë si Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), Ramazan Rraja, Endrit Sinani, Genti Nderjaku, Bashkim Haxhija dhe Julian Pjetri. Këta të fundit po përballen me një proces të veçuar gjyqësor.
Të dy të akuzuarit u arrestuan në Dubai dhe në muajin gusht të vitit 2024 u ekstraduan në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë. Sipas SPAK, Dervishaj konsiderohet organizatori i atentatit, ndërsa Meçaj një prej personave që ka qëlluar me armë në drejtim të automjetit ku udhëtonte Ndoja.
Sipas hetimeve, atentati ndaj ish-prokurorit Ndoja, sot deputet i Partisë Demokratike, u zbardh përmes transkriptimit të komunikimeve në aplikacionin e koduar SKY/ECC, i përdorur gjerësisht nga grupet e krimit të organizuar në Shqipëri.
Ngjarja ndodhi më 1 nëntor 2019, kur Arjan Ndoja dhe shoferi i tij po udhëtonin së bashku me Aleksandër Lahon, një emër i njohur i botës së krimit, i shpallur në kërkim dhe i njohur me nofkën “Rrumi”.
Në dëshminë e dhënë para gjykatës dy javë më parë, Ndoja mohoi të kishte pasur kontakte të mëhershme me Aleksandër Lahon, duke deklaruar se njihte vetëm vëllain e tij dhe se ndodhja në të njëjtin automjet me të ditën e atentatit kishte qenë rastësore.
Lini një Përgjigje