Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka vendosur unanimisht kundër Shqipërisë në çështjen “Manjani kundër Shqipërisë”, duke konstatuar shkelje të Nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që lidhet me respektimin e jetës private dhe profesionale.
Rasti lidhet me Shiqiri Manjanin, i cili në vitin 2020 aplikoi për t’u pranuar në Shkollën e Magjistraturës për profilin prokuror. Edhe pse kaloi provimin, ai u skualifikua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për shkak të një dënimi për vjedhje të marrë në vitin 2006, kur ishte 15 vjeç. Për këtë dënim, Manjani ishte rehabilituar ligjërisht në vitin 2014.
Ankimet e tij u rrëzuan më pas nga Gjykata Administrative e Apelit, Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese, të cilat argumentuan se legjislacioni shqiptar ndalon hyrjen në sistemin e drejtësisë të personave të dënuar me vendim të formës së prerë, pavarësisht rehabilitimit apo moshës kur është kryer vepra penale.
Megjithatë, Gjykata e Strasburgut vlerësoi se ndërhyrja e autoriteteve shqiptare ishte jo proporcionale dhe nuk ishte mbështetur në një analizë të mjaftueshme të rrethanave konkrete të rastit.
Sipas arsyetimit të gjykatës, autoritetet shqiptare kanë bërë një interpretim mekanik të ligjit, pa kryer një vlerësim të individualizuar të situatës. Gjykata theksoi gjithashtu se nuk u mor parasysh fakti që Manjani ishte i mitur në momentin e kryerjes së veprës penale, element që duhet të trajtohej me prioritet në dritën e parimeve të riintegrimit.
Një tjetër element i theksuar nga GJEDNJ ishte se ndalimi për të hyrë në sistemin e drejtësisë u aplikua si një ndalim absolut dhe i përhershëm, duke pasur ndikim serioz në zhvillimin profesional dhe identitetin social të aplikuesit.
Gjykata vuri në dukje gjithashtu se autoritetet shqiptare nuk morën parasysh sjelljen e mëpasshme të aplikuesit, i cili kishte ushtruar profesionin e avokatit dhe oficerit të policisë gjyqësore pa probleme ligjore.
Në përfundim, Gjykata Evropiane vendosi që shteti shqiptar duhet t’i paguajë Manjanit 4,500 euro dëmshpërblim për dëmin jopasuror. Gjykata theksoi gjithashtu se legjislacioni shqiptar parashikon mundësinë e rihapjes së procesit gjyqësor në nivel kombëtar, për rishqyrtimin e rastit në dritën e këtij vendimi.
Vendimi është marrë unanimisht nga një trupë prej shtatë gjyqtarësh të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Lini një Përgjigje