
Telefonat celularë mbeten prova kryesore në hetimet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Sipas të dhënave nga raporti i SPAK, në laboratorët e ekspertizës janë analizuar mbi 1,700 telefona celularë dhe tabletë gjatë katër viteve të fundit.
Vetëm gjatë vitit 2025, në Sektorin e Ekspertizës kanë mbërritur për analizë 372 vendime ekspertimi, që përfshijnë 615 prova digjitale, mes të cilave 503 telefona celularë dhe tabletë, 98 kompjutera, 14 DVR dhe 153 pajisje të tjera digjitale si hard disqe, USB dhe karta memorie.
Edhe në vitet e mëparshme numri i pajisjeve të sekuestruara dhe të analizuara ka qenë i lartë. Në vitin 2024, SPAK ka dërguar për ekspertim 553 telefona celularë dhe tabletë, ndërsa në vitin 2023 janë analizuar 407 telefona celularë. Një vit më parë, në 2022, në laboratorët e ekspertizës janë dërguar 328 telefona celularë.
Në total, për periudhën 2022–2025, në laboratorët e SPAK janë analizuar 1,791 telefona celularë dhe tabletë, duke konfirmuar rolin kyç që kanë komunikimet digjitale në hetimet për korrupsion dhe krim të organizuar.
Përveç telefonave, hetuesit kanë analizuar edhe qindra pajisje të tjera digjitale, përfshirë 343 kompjutera, dhjetëra DVR dhe qindra pajisje ruajtjeje si USB dhe hard disqe, që shpesh përmbajnë dokumente financiare, komunikime dhe të dhëna të rëndësishme për hetimet.
Sipas raportit, zgjerimi i kapaciteteve të laboratorëve digjitalë të SPAK dhe BKH-së ka bërë të mundur analizimin e një volumi gjithnjë e më të madh provash elektronike, të cilat po kthehen në element kyç në zbardhjen e dosjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar. /Pamfleti
Lini një Përgjigje