TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Mars 2026, 16:33

130 tonë misër me aflatoksinë në Shkodër, AKU jep detaje: Subjekti ka prishur vulat e sigurisë, e kemi gjobitur 4 herë

Shkruar nga Pamfleti
130 tonë misër me aflatoksinë në Shkodër, AKU jep
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar 130 tonë misër blegtoral në qarkun Shkodër, pasi analizat kanë konstatuar prani të lartë të aflatoksinës, një substancë e rrezikshme për sigurinë ushqimore.

Në një njoftim zyrtar, AKU bëri me dije se pas konstatimit të ndotjes së produktit janë ndërmarrë menjëherë masat ligjore për bllokimin e sasisë, ndërsa kontrollet e kryera në terren gjatë marsit 2026 kanë zbuluar edhe shkelje të rënda nga ana e operatorit të biznesit.

Sipas institucionit, subjekti ka vepruar në kundërshtim me ligjin, duke prishur me dashje shenjat e sigurisë (shiritat e bllokimit) dhe duke lëvizur sasinë e misrit të bllokuar pa dokumentacion gjurmueshmërie.

Për këto shkelje, AKU ka ndërmarrë katër masa administrative me gjobë ndaj subjektit dhe ka depozituar kallëzim penal pranë organeve të drejtësisë për veprat:

-prishje me dashje të shenjave të sigurisë,
-vendosje në qarkullim të ushqimeve të rrezikshme,
-mashtrim me produktet ushqimore.

Ndërkohë, institucioni ka nisur edhe procedime disiplinore ndaj tre inspektorëve të Drejtorisë Rajonale të AKU në Shkodër, për shkak të dyshimeve për lëshime në detyrë gjatë procesit të inspektimit.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thekson se integriteti i procesit të kontrollit është i panegociueshëm, ndërsa siguron se strukturat e tij do të vijojnë kontrollet për garantimin e sigurisë ushqimore.

Në reagimin zyrtar, AKU vlerëson edhe rolin e medias në denoncimin e rasteve abuzive, duke u bërë thirrje raportuesve që të mbështeten në fakte zyrtare, për të shmangur keqinformimin dhe krijimin e panikut të pajustifikuar tek qytetarët.

Institucioni thekson se mbetet në gatishmëri të plotë për mbrojtjen e shëndetit publik, duke paralajmëruar masa të rrepta ndaj çdo subjekti që shkel rregullat e sigurisë ushqimore.

"Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në kuadër të informimit të publikut dhe transparencës, sqaron opinionin publik se, pas konstatimit të prezencës së aflatoksinës në një sasi misri blegtoral në qarkun Shkodër, janë ndërmarrë menjëherë të gjitha masat ligjore për bllokimin e produktit, ndërkohë që kontrollet e fundit të ushtruara në terren në Mars 2026 kanë nxjerrë në dritë shkelje të rënda nga ana e operatorit të biznesit. Ky subjekt ka vepruar në kundërshtim të hapur me ligjin duke prishur me dashje shenjat e sigurisë (shiritat e bllokimit) dhe duke lëvizur sasinë e pasigurt pa asnjë dokumentacion gjurmueshmërie, veprime për të cilat AKU ka reaguar me vendosmëri të plotë duke vendosur katër masa administrative “Gjobë” dhe duke depozituar kallëzim penal pranë organeve të drejtësisë prishje me dashje të shenjave të sigurisë, vendosje në qarkullim të ushqimeve të rrezikshme dhe mashtrim me produktet ushqimore.

​Gjithashtu, institucioni ka treguar gatishmëri të lartë për të nxjerrë përgjegjësitë edhe brenda strukturave të veta, duke nisur procedimet disiplinore për tre inspektorë të DRAKU Shkodër për lëshime në detyrë, pasi integriteti i procesit të inspektimit është i panegociueshëm.

Ndërsa vlerësojmë rolin e medias në denoncimin e rasteve abuzive, ftojmë të gjithë raportuesit që t’u referohen fakteve zyrtare për të shmangur keqinformimin dhe panikun e pabazë te qytetarët.  

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit siguron konsumatorët se mbetet në gatishmëri të plotë në misionin e tij për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik në çdo rast dhe përballë çdo subjekti që tenton të shpërfillë ligjin", thuhet në njoftimin e AKU.

aku miser shkoder

Lini një Përgjigje