TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Mars 2026, 15:45

Shoqata “Media dhe Drejtësi” dënon kërcënimin ndaj pronarit të "MCN": Akt banditesk dhe goditje ndaj lirisë së medias

Shkruar nga Pamfleti
Shoqata “Media dhe Drejtësi” dënon kërcënimin
“Media dhe Drejtësi” dënon kërcënimin ndaj pronarit të MCN

Ky është një akt banditesk, i papranueshëm dhe një goditje e drejtpërdrejtë jo vetëm ndaj një individi, por ndaj lirisë së medias, sigurisë së gazetarëve dhe vetë rendit demokratik në vend.

Shoqata “Media dhe Drejtësi” ka dënuar ashpër kërcënimin ndaj pronarit të televizionit MCN, Endri Meksi, i cili është përballur me persona të maskuar dhe të armatosur pranë ambienteve të televizionit në Tiranë.

Në reagimin e saj publik, shoqata e cilëson ngjarjen si një akt të rëndë dhe të papranueshëm, duke theksuar se kërcënime të tilla nuk prekin vetëm një individ, por edhe lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve.

Sipas deklaratës, prania e personave të armatosur pranë një institucioni mediatik përbën një përpjekje për të frikësuar median dhe për të ushtruar presion ndaj fjalës së lirë.

Shoqata “Media dhe Drejtësi” i bën thirrje Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese që të reagojnë me urgjencë dhe transparencë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke identifikuar autorët dhe çdo person që mund të jetë i përfshirë në këtë akt.

Reagimi i shoqatës “Media dhe Drejtësi”

Shoqata “Media dhe Drejtësi” dënon me ashpërsinë më të madhe aktin e rëndë të kërcënimit ndaj pronarit të televizionit MCN, z. Endri Meksi, nga persona të maskuar dhe të armatosur pranë ambienteve të televizionit në Tiranë.

Ky është një akt banditesk, i papranueshëm dhe një goditje e drejtpërdrejtë jo vetëm ndaj një individi, por ndaj lirisë së medias, sigurisë së gazetarëve dhe vetë rendit demokratik në vend. Kur armët dhe maskat shfaqen në derën e një televizioni, nuk kemi më të bëjmë vetëm me një kërcënim personal, por me një përpjekje të qartë për të frikësuar median dhe për t’i mbyllur gojën fjalës së lirë.

I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe të gjitha institucioneve ligjzbatuese që të reagojnë me urgjencë, profesionalizëm dhe transparencë të plotë. Autorët, por edhe porositësit e mundshëm të këtij akti kriminal, duhet të identifikohen dhe të vihen përpara drejtësisë pa asnjë vonesë.

Heshtja, relativizimi apo vonesa në zbardhjen e kësaj ngjarjeje do të ishte një mesazh i rrezikshëm për klimën e lirisë së medias në Shqipëri. Asnjë media, asnjë botues dhe asnjë gazetar nuk duhet të jetojë nën terrorin e bandave, presionit kriminal apo kërcënimeve me armë.

Shoqata “Media dhe Drejtësi” shpreh solidaritetin e plotë me z. Endri Meksi, me stafin e televizionit MCN dhe me çdo punonjës të medias që përballet me presion, intimidim apo kërcënim.

Cenimi i medias është cenim i demokracisë.

Kërcënimi ndaj fjalës së lirë është kërcënim ndaj gjithë shoqërisë.

Gjergj Zefi

Kryetar i shoqatës “Media dhe Drejtësi”

 

Lini një Përgjigje