Veriu i Shqipërisë rrezikon të përballet me vështirësi në qarkullim për shkak të dëmtimeve të konsiderueshme në urën mbi lumin Mat, e cila ndodhet në autostradën Milot–Lezhë. Pamjet e siguruara tregojnë se këmbët e urës kanë pësuar dëmtime serioze, duke ngritur shqetësime për sigurinë e udhëtarëve dhe qëndrueshmërinë e strukturës.
Eksperti i mjedisit Jak Gjini shpjegon se devijimi i rrjedhës së lumit dhe gërryerjet e pakontrolluara kanë ndikuar në prishjen e ekuilibrave natyrorë, duke rrezikuar jo vetëm këtë urë, por edhe struktura të tjera mbi lumin Mat, përfshirë Urën e Zogut. Sipas ekspertëve, nëse nuk ndërhyhet në kohë, mund të vihet në rrezik stabiliteti i urës dhe funksionimi normal i këtij aksi të rëndësishëm rrugor.
Banorët e zonës thonë se problemi vazhdon prej vitesh dhe lidhet me shfrytëzimin e inerteve nga lumi, ku mbi 20 kompani operojnë në këtë zonë. Sipas tyre, kjo veprimtari ka rritur ndjeshëm rrezikun për dëmtimin e strukturave dhe shembjen e urave.
Një situatë e ngjashme u regjistrua edhe pak muaj më parë me Urën e Milotit, ku qarkullimi u ndërpre plotësisht më 24 korrik 2025, duke shkaktuar bllokim të trafikut në zonën e Lezhës dhe duke ndikuar negativisht edhe në sektorin e turizmit.
Lini një Përgjigje