TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Mars 2026, 13:07

Banorët e Rrjollit paralajmërojnë protestë para SPAK: Do të publikojmë emrat e përfshirë në falsifikimet e Fatmir Shpellzës

Shkruar nga Pamfleti
Banorët e Rrjollit paralajmërojnë protestë para SPAK: Do
Prekë Molla, protestues

Banorët e zonës Baks-Rrjoll kanë vendosur që protestën e tyre të radhës ta zhvillojnë përpara dyerve të SPAK, duke e zhvendosur atë nga zona ku janë mbajtur më herët. Lajmi është konfirmuar nga Prekë Molla, përfaqësues i banorëve të kësaj zone.

Sipas tij, protesta do të mbahet të mërkurën në orën 10:00, dhe do të zhvillohet me mbështetjen e disa komuniteteve dhe shoqatave nga zona të ndryshme të vendit, mes tyre shoqata “Dukagjini” dhe “Dukati i Vlorës”.

“Protesta para SPAK është në bashkëpunim me gjithë komunitetin shqiptar që janë të vendosur për pronat e tyre që edhe si ne, kanë probleme të ndryshme lidhur me pronat. Jemi lidhur me shoqatat ‘Dukagjini’ apo ‘Dukati i Vlorës’ që nesër në orën 10:00 paradite jemi pranë SPAK-ut. U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që kërkojnë drejtësi që nesër të jemi para SPAK në një protestë paqësore ku do të kërkojmë drejtësi dhe vetëm drejtësi”, tha Molla.

Molla bëri të ditur gjithashtu se gjatë protestës do të publikohen edhe emrat e disa personave që, sipas banorëve, janë përfshirë në çështjen për të cilën është depozituar një kallëzim penal.

“Nga SPAK ne kërkojmë diçka më shumë sepse ditën e djeshme kemi depozituar një kallëzim të tretë me shumë emra që nesër para SPAK do t’i them të gjithë këta emra të përfshirë në këtë ofertë korruptive dhe në falsifikimet që janë bërë në lidhje me dokumentacionin që Fatmir Shpellzaj ka futur pronën”, thotë Molla, ndërsa shton se dy prej këtyre personave nuk jetojnë, por do të publikohen emrat e atyre që jetojnë.

Ai shton se Prokuroria e Shkodrës duhet të veprojë dhe t’i japë zgjidhje çështjes së ngritur nga banorët, të cilët pretendojnë se janë bërë falsifikime në dokumentacionin e pronave.

“Ne nuk pretendojmë asgjë, veç po kërkojmë që shteti shqiptar të vërë para përgjegjësisë të gjithë personat e organizuar për të bërë këtë falsifikim që janë fituar 1 milionë e 500 mijë metra katrorë nga një person nga hiçi që s’ka ekzistuar në asnjë moment të regjistrit shqiptar se ai ka qenë në këtë fshat”, shprehet Molla.

Sa i përket punimeve për ndërtimin e resortit të sipërmarrësit Bashkim Ulaj, Molla thotë se ato vijojnë, ndërsa në terren është shtuar edhe prania e forcave të policisë.

“Unë nuk kam qenë atje por policët vijnë dhe na numërojnë sa vetë jemi dhe porosisin policët sa duhet të jenë ata në raport me numrin që jemi ne. Nëse jemi 20 persona, vijnë 60 policë. Nëse jemi 50 persona, vijnë 150 policë. Punimet nuk ndalen. Është e 13-ta herë që shkoj në polici. Sa më shohin, më kapin dhe mendojnë se e shuajnë protestën, por jo, s’do ta arrijnë qëllimin”, përmbylli Molla.

Banorët e zonës kanë paralajmëruar se protestat do të vijojnë, duke theksuar se nuk do të ndalen derisa të marrin përgjigje për çështjen e pronave të tyre.

Lini një Përgjigje