TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Mars 2026, 20:19

Banorët nesër protestë para SPAK për pronat në Rrjoll, avokati: Institucionet në gjumë letargjik

Shkruar nga Pamfleti

Banorët nesër protestë para SPAK për pronat në Rrjoll,

Banorët e fshatit Baks-Rrjoll në Velipojë kanë paralajmëruar se ditën e nesërme do të protestojnë para Prokurorisë së Posaçme (SPAK) kundër ndërtimit të një resorti turistik nga biznesmeni Bashkim Ulaj, për të cilin ata pretendojnë se po ndërtohet mbi pronat e tyre.

Në një lidhje për "Report TV", banori i zonës deklaroi se protestës pritet t’i bashkohen edhe qytetarë nga zona të tjera të vendit që kanë konflikte të ngjashme pronësie.

“Nesër kemi një protestë pranë SPAK, ku do i tregojmë për të tretën herë që po e bëjmë këtë protestë. Jo vetëm fshati i Baks-Rrjollit, por e gjithë Republika e Shqipërisë, ku ka persona që kanë probleme me pronat e tyre, janë të thirrur të paraqiten pranë SPAK për të treguar edhe njëherë problemet që kanë me drejtësinë”, u shpreh ai.

Sipas tij, protestës pritet t’i bashkohen qytetarë nga disa zona të vendit.

“Ne kemi pasur komunikim me Kuvendin e Dukatit të Vlorës, me vlonjatë nga Orikumi, por edhe me persona nga Mallakastra, Durrësi dhe Dukagjini, të cilët nesër do të jenë pranë SPAK për të shprehur dëshirën që kanë për të mbrojtur pronat e tyre”, tha Molla.

Ndërkohë, avokati Klodian Reçi e cilësoi të papranueshme, sipas tij, heshtjen e institucioneve për këtë çështje dhe i bëri thirrje SPAK të nisë hetimet.

Ai deklaroi se banorët e zonës pretendojnë pronësi mbi tokat që, sipas tij, u janë marrë nga shteti komunist në vitin 1947 dhe se prej vitesh kanë ndjekur procedura për t’i rikthyer.

“E vërteta është se ata kanë një pronësi që ua ka marrë shteti komunist në vitin 1947. Nëpërmjet një dokumentacioni të plotë, përgjatë gjithë kësaj periudhe edhe pas viteve ’90 kanë bërë një sërë procedurash për ta marrë të drejtën e pronësisë. Për shkak të shumë interesave meskine nuk është bërë e mundur”, tha Reçi.

Sipas tij, një vendim i Gjykatës së Apelit në shkurt 2026 i ka njohur të drejtën e pronësisë një prej familjeve të zonës, ndërsa pritet edhe zbardhja e plotë e vendimit gjatë muajit mars.

Reçi akuzoi gjithashtu institucionet për mosreagim ndaj kallëzimeve të depozituara.

“Është e papranueshme që edhe SPAK të vijojë në këtë gjumë letargjik me këto kallëzime penale. Janë administruar një sërë informacionesh që tregojnë për një strukturë kriminale për falsifikim dokumentesh. E njëjta skemë si në Lezhë”, u shpreh ai.

Avokati shtoi se interesat për zonën lidhen me ndërtimin e resortit turistik dhe me investimet në infrastrukturë.

“Pse është gjithë ky interes për Rrjollin? Ka një sërë faktesh që e çojnë te ndërtimi i këtij resorti. Janë shpenzuar qindra milionë euro për infrastrukturën dhe në vend që të përfundonte rruga nga Lezha në Shkodër, është ndërtuar një rrugë që do t’i shërbejë vetëm një resorti”, tha ai.

Pretendimet për përfshirjen e grupeve kriminale në grabitjen e pronave i mbështeti edhe avokati Ndue Pjetra, i cili deklaroi se përgjatë vijës bregdetare nga Shëngjini deri në Velipojë po ndërtohen resorte luksoze.

“Unë besoj që çelësi i suksesit është SPAK. Asnjë prokurori nëpër rrethe nuk mund ta hetojë korrupsionin e qeverisë. Nga Shëngjini deri në Velipojë janë disa resorte që po lulëzojnë përditë. SPAK duhet të ndërhyjë menjëherë në të gjitha resortet”, tha Pjetra.

Ai shtoi se, sipas tij, dokumentet e përdorura për ndërtimet janë të falsifikuara dhe se vetëm një hetim i plotë mund të sqarojë situatën.

“Gjyqet e pronave janë falso, nuk funksionon asgjë. Vetëm SPAK mund të bëjë një hetim të plotë për grabitjen e pronave të qytetarëve”, u shpreh avokati.

Banorët e zonës kanë paralajmëruar se do të vijojnë protestat derisa, sipas tyre, të zbardhet çështja e pronësisë dhe të ndërpritet ndërtimi i resortit në zonë.

Lini një Përgjigje