TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Dhjetor 2025, 21:50

Defektet e reformës në drejtësi, Ramaj: Duhet ndërhyrë, por mungon vullneti politik për ta perfeksionuar sistemin!

Shkruar nga Pamfleti

Defektet e reformës në drejtësi, Ramaj: Duhet ndërhyrë,

Avokati Redi Ramaj duke folur për Reformën në Drejtësi, deklaroi se ajo ka shfqaur disa probleme, të cilat sipas tij, duhet të ndërhyet për t’i rregulluar.

Në një intervistë për “Të Pashoq” në kanalin në Youtube të Pamfletit, Ramaj tha se largimi masiv i magjistratëve përmes procesit të vetingut, pa një plan të qartë për zëvendësimin e tyre, ka krijuar një vakum të thellë në sistem. Ai renditi edhe disa defekte të tjera që duhen rregulluar, por theksoi se vullneti politik për të korrigjuar këto defekte duket i zbehtë.

Përkundrazi, shtoi ai, vërehet një tendencë për të "ndaluar" ose "zbutur" impaktin e reformës, veçanërisht ndaj figurave politike, në vend që të ndërmerren hapa konkretë për përmirësimin dhe funksionalitetin e plotë të sistemit të drejtësisë.

Pjesë nga biseda në studio:

– A mendoni se duhet ndërhyrje edhe një herë në reformën në drejtësi?

Ramaj: Shiko, pas kalimit të një kohe, normalisht, si çdo reformë, mund të ketë nevojë për ndërhyrje. Por kjo reformë ka pasur disa defekte që duhej të ishin trajtuar më herët, ose mënyra e zbatimit të saj mund të kishte qenë ndryshe. Heqja e më shumë se gjysmës, ose rreth 60%, të të gjithë magjistratëve nga vetingu solli një kolaps të gjykatave normale.

Pra, duhet të ishte bërë ndryshe. A duhet të ishin hequr patjetër, mund ta diskutojmë, por mënyra se si u bë, pa u zëvendësuar me gjyqtarë të rinj, ka krijuar probleme. Sot Shkolla e Magjistraturës nuk arrin dot të plotësojë numrin e magjistratëve, qoftë për prokuror, qoftë për gjyqtar, në të gjithë sistemin, dhe kemi vakanca shumë të mëdha. Nuk u gjet një alternativë ose formulë tjetër për të futur njerëz profesionistë me përvojë, siç mund të jenë avokatë apo profesionistë të tjerë që kanë pasur pozicione të larta pune, për t’u futur në sistem si gjyqtarë.

Pra, ka mbetur peng vetëm Shkolla e Magjistraturës, në një kohë që për të qenë gjyqtar i Gjykatës së Lartë ose i Gjykatës Kushtetuese, nuk është e nevojshme të kesh qenë patjetër gjyqtar ose të kesh mbaruar shkollën e magjistraturës. Mund të kesh kaluar vetëm përmes eksperiencës si jurist, avokat, lektor i së drejtës, ose fusha të tjera që lidhen me drejtësinë.

Këto, mendoj se duhen riparuar; mund të ketë nevojë për ndryshim. Nuk e di nëse ka më vullnet politik tani për të prekur reformën ose për të bërë ndërhyrje që vetëm e përmirësojnë atë. Unë shoh se vullneti politik tashmë është më shumë për ta ndaluar reformën ose për të bërë veprime që zbusin presionin që ka reforma ndaj politikës.

Lini një Përgjigje