TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Dhjetor 2025, 21:14

A u emërua 'njeriu i Dumanit' në krye të BKH-së? Ramaj: Drejtuesit të Byrosë Kombëtare s’i duhet mbeshtetja e SPAK

Shkruar nga Pamfleti

A u emërua 'njeriu i Dumanit' në krye të BKH-së?

Emërimi i kreut të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) është shoqëruar me diskutime publike rreth procesit të përzgjedhjes dhe ndikimeve të mundshme politike apo institucionale. Zërat në qarkullim kanë hedhur idenë se kandidati fitues ishte i preferuari i drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, duke lënë të kuptohet se ka pasur një lobim në favor të tij.

Për avokatin Redi Ramaj, zgjedhja e kreut të BKH-së nuk ka të bëjë me preferencat individuale, por me kriteret e përcaktuara me ligj.

Në një intervistë për emisionin “Të Pashoq” në kanalin në Youtube të Pamfletit, Ramaja tha se Drejtori i BKH-së nuk është i nevojshëm të jetë një person i mbështetur nga krerët e prokurorisë, pasi vetë struktura institucionale parashikon një veprimtari autonome në aspektin hetimor.

Pjesë nga intervista:

– Është folur gjatë gjithë kësaj kohe, të paktën në dy mujorin që Joni Keta ka qenë i komanduar në krye të BKH-së, se ishte kandidati i preferuar i kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, dhe të gjitha lobingjet kanë qenë në shërbim të kandidaturës së tij. A i hedhi dyshim kjo procesit?

Ramaj: Shiko, unë mendoj që nuk duhet të fokusohemi në diskutime se kush ishte i preferuari i njërit person, i kryetarit të SPAK-ut apo i komisionit, ose i anëtarëve të tjerë të komisionit. Pse e them këtë?

Janë përfolur edhe emra të tjerë gjatë këtij procesi, që mund të ishin figura të propozuara ose të mbështetura nga një fraksion i Prokurorisë së Posaçme. Gjë që nuk rezultoi për shumicën e emrave dhe mendoj që nuk ka pse të rezultojë për zotin Keta. Fakti që, siç e thashë, filtrimi dhe procesi ishte i gjatë dhe i mirëmenduar, duke arritur përfundimisht te një figurë, tregon se është respektuar aspekti i kritereve dhe përcaktimeve që kërkon ligji.

Unë nuk besoj se drejtuesi i BKH-së duhet të jetë patjetër një person i mbështetur ose i cili ka interesa të lidhura me anëtarë të Prokurorisë së Posaçme. Pse e them këtë? Sepse BKH-ja në organizimin e saj është një strukturë që, pavarësisht se kush është drejtues, rolin në hetime e kanë vetë oficerët, të cilët punojnë në varësi të prokurorëve të ndryshëm. Pra, edhe pse është një trup paralel me Prokurorinë e Posaçme, shumica ose pothuajse të gjithë oficerët e policisë gjyqësore, pjesë të agjencisë së BKH-së, janë të bashkërenduar ose të lidhur me një ose disa prokurorë në hetimet e tyre.

Më e rëndësishme në të gjithë këtë proces është fakti se si funksionon trupa në përgjithësi. Ndikimi i drejtuesit do të ketë një rol të pranueshëm, por jo deciziv në mënyrën e funksionimit të BKH-së. Koordinimi do të bëhet gjithmonë me Prokurorinë e Posaçme për hetimet e kryera, dhe vendimet kryesore do t’i marrin bazuar në nevojat e hetimit të prokurorisë. Kjo është të paktën si e lexoj unë ligjin.

Prandaj them që emri ka rëndësi, por në të njëjtën kohë nuk ka rëndësi, sepse në fund të ditës individët, agjentët e BKH-së, në mënyrë individuale bëjnë diferencën në hetimin e çështjeve dhe në drejtësinë që merr çdo qytetar, gjithmonë nën pikëqyrjen dhe drejtimin e prokurorit.

Lini një Përgjigje