
Avokati Redi Ramaj ka komentuar procesin e zgjedhjes së drejtuesit të ri të SPAK, duke theksuar rëndësinë që gara të zhvillohet mbi bazën e meritës, integritetit profesional dhe vizionit për të ardhmen e institucionit. Në “Të Pashoq”, Ramaj u ndal te katër kandidatët në garë, duke i cilësuar të gjithë me profil të lartë dhe përvojë në çështje të rëndësishme të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ai ka kërkuar që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të mos ndikohet nga perceptimet publike apo retorikat për “të preferuarit” e politikës apo të ambasadave, por të gjykojë mbi platformat konkrete që kandidatët paraqesin për drejtimin e SPAK në tre vitet e ardhshme.
-Si e shihni këtë proces në plan të përgjithshëm? Sepse edhe për këtë zgjedhje shumë të rëndësishme ka pasur shumë informacion se ç’po gatuhet ndoshta në prapaskenë, për të zgjedhur atë që, tani veçse është i preferuari i amerikanëve, i preferuari i qeverisë, i pushtetit e kështu me radhë.
Ramaj: Janë përfolur shumë emra për çështje favorizimi, siç e thatë. Gara është e fortë. Të katërt kandidatët janë profesionistë, me integritet, kanë ndjekur çështje të rëndësishme. Duke filluar nga zoti Adnan Xholi, zoti Braho, dhe dy kandidatet e tjera, zonja Musabelliu dhe zoti Gokaj. Kanë pasur dosje të rëndësishme, me peshë – çështje korrupsioni dhe krimi të organizuar. Kanë trajtuar të gjitha rastet, gjithë spektrin që mbulon Prokuroria e Posaçme.
Unë shoh që, pavarësisht se janë përfolur emra të caktuar si “i preferuari i kryetarit aktual” apo “i favorizuari i amerikanëve”, përmendet edhe një kandidate si e mbështetur nga SHBA – por këto më duken si retorikë, dëshira apo tentativa për të ndikuar në perceptim nga individë me pushtet që duan të influencojnë garën.
Më mirë është që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të fokusohet në platformat e kandidatëve, në mënyrën si po kandidojnë, në çështjet që kanë ndjekur dhe mbi të gjitha, në vizionin që kanë për drejtimin e tre viteve të ardhshme të Prokurorisë së Posaçme.
Nëse e mbani mend, në garën e kaluar ku zoti Dumani kandidoi me zotin Kondili dhe, nëse nuk gaboj, edhe me zotin Xholi, ishte një garë e fortë. Secili kandidat shpalosi programin dhe platformën. Pati një interesim shumë të madh edhe nga ambasada amerikane. Atëherë ishte ambasadorja amerikane që mori pjesë personalisht në proces.
- Pati goxha presion.
Ramaj: Patjetër. Hapur madje. U desh ndërhyrja e ambasadores që të ishte aty fizikisht për të dhënë mesazhin e saj.
Lini një Përgjigje