
Një nga çështjet më të ndjeshme penale dhe politike që lidh Belgjikën me Shqipërinë ka marrë një kthesë të papritur. Të mërkurën, Dhoma e 46-të e Gjykatës Korreksionale në Bruksel ka vendosur të shpallet “territorialisht e papërgjegjshme” për të gjykuar çështjen e njohur si “Toyota Yaris”, një dosje që përfshin lidhje të ndërlikuara mes krimit të organizuar dhe botës politike shqiptare.
Vendimi u konfirmua nga avokatët e të pandehurve, përfshirë emra të njohur të fushës ligjore në Belgjikë si Kamran Najib, Quentin dhe Jean-Philippe Mayence, Olivier Martins, Sven Mary, Dimitri de Béco dhe Johan Heymans, shkruan “DH NET.
Çështja nisi në korrik 2019, kur autoritetet shqiptare sekuestruan në një port të vendit një kamion që transportonte automjete Toyota të blera në Belgjikë. Në dy prej këtyre makinave, u zbuluan të fshehura 3.5 milionë euro dhe 100 mijë franga zvicerane, shuma që besohet se kanë origjinë kriminale nga rrjeti belgo-shqiptar.
Për rëndësinë e dosjes, një delegacion i Prokurorisë Federale belge kishte udhëtuar drejt Shqipërisë për të marrë në pyetje disa persona, përfshirë edhe ish-ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Lulzim Basha. Megjithatë, ai nuk është përfshirë si i pandehur në procedurën belge. Deri më tani, trembëdhjetë persona janë zyrtarisht të akuzuar në Belgjikë dhe janë përballur me drejtësinë në Bruksel.
Rasti është veçanërisht delikat, pasi përbën një test të heshtur për imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë në kontekstin e përpjekjeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Skandali ka ekspozuar jo vetëm lidhjet e dyshimta politike me rrjetet kriminale ndërkombëtare, por ka tronditur edhe themelet e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Gjykata belge argumenton se nuk ka prova të mjaftueshme për të përcaktuar se ku dhe kur saktësisht është futur sasia e parave në automjetet e sekuestruara, duke theksuar faktin që kamioni kishte kaluar disa shtete përpara se të ndalohej në Shqipëri.
Pavarësisht vendimit të gjykatës për të mos e shqyrtuar çështjen, Prokuroria Federale belge mban të drejtën për të apeluar këtë vendim, çka do të hapte një kapitull të ri për një dosje që mbetet e ndezur në skenën politike dhe diplomatike të të dy vendeve.
Lini një Përgjigje