TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Korrik 2025, 16:42

Akuzohej nga SPAK për fshehje pasurie, GJKKO shpall të pafajshëm ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë!  

Shkruar nga Pamfleti

 Akuzohej nga SPAK për fshehje pasurie, GJKKO shpall të pafajshëm

Gjykata e Posaçme e shkallës së parë ka shpallur të pafajshëm ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, i cili akuzohej nga SPAK-u për fshehje të pasurisë. 

Vendimi është dhënë ditën e sotme, pas shqyrtimit të çështjes nga GJKKO. SPAK kishte paraqitur pranë Gjykatës kërkesën për gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Shkëlzen Selimi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”. 

Procesi u bë me procedurë të zakonshme, teksa ish-magjistrati pretendonte pafajësinë, kurse vendimi u dha nga gjyqtarja Rudina Palloj. 

Akuzohej nga SPAK për fshehje pasurie, GJKKO shpall të pafajshëm

Njoftimi i Gjykatës së  Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar: 

 1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: "Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Shkëlzen Selimi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale "Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim", të parashikuar nga neni 257/a/2 të K.Penal.". 

2. Gjykimi i kësaj çështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, me vendimin Nr. 48, datë 07.07.2025 vendosi: 

1. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Shkëlzen K. Selimi, akuzuar për kryerjen e veprës penale "Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim", parashikuar nga neni 257/a, pg 2 i Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja a) të Kodit të Procedurës Penale, pasi fakti penal objekt akuze nuk provohet se ekziston si i tillë. 

2. Shpenzimet procedurale të bëra gjatë hetimeve paraprake, sipas procesverbalit për evidentimin e shpenzimeve të hetimit, dhe ato gjyqësore, sipas procesverbalit përkatës për evidentimin e shpenzimeve gjyqësore, në referim të nenit 393 të K.Pr.Penale, mbeten siç janë kryer. 

3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar. 
Tiranë, më datë 07.07.2025 

Lini një Përgjigje