
Monika Kryemadhi është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK), në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, e caktuar më herët nga Gjykata.
Pas daljes nga prokuroria, Kryemadhi ka folur për kartën 245 mijë dollarë që SPAK e akuzon se ka shpenzuar për hotele, veshje në Beverly Hills e Las Vegas me kartën e Ardian Shatkut.
Kryemadhi pranoi se ka qenë në Shtetet e Bashkuara, më konkretisht në Las Vegas dhe Los Anxheles me kushërinjtë e saj Adrian Shatkun dhe këngëtaren Bebe Rexha.
Sipas saj ajo i është drejtuar bankës në SHBA për të treguar shpenzimet e saj personale gjatë kësaj kohe, ku sipas saj ka qenë në SHBA për të festuar 10-vjetorin e vajzës së saj, e shoqëruar edhe nga disa mikesha.
E pyetur për pretendimin se ka shpenzuar mbi 200 mijë dollarë për veshje, Kryemadhi tha se këto janë deklarata që bëhen nga Tedi Blushi, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, i cili sipas saj merr urdhërsa nga SPAK.
"E para sa i përket kartës për të cilën Meta flet me fjalët e Altin Dumanit, dua të them diçka. Kam qenë edhe në Las Vegas e Beverly Hills. Me kushëririn tim Shatku, tre fëmijët, kushërira ime Bebe Rexha, për ditëlindjen e vajzës. Kanë qenë edhe mikeshat e mia. Këto i thotë zëdhënësi i partisë së lirisë, Blushi, që merr direktiva nga SPAK. 245 mijë dollarë është karta e Shatkut, me hotele, bileta avioni, akullore. Dhe ajo që dua të them është që seli ka shpenzimet e veta. Do ti kërkoj bankës, sa më përket mua, cilat janë biletat e mia. Adrian Shatku s’ka të bëjë me buxhetin e shtetit, as me tendera, as përfitime apo shpenzime nga qeveria e taksapaguesit, është një kompani amerikane që ka punuar dhe punon në 56 vende të tjera të botës", tha Kryemadhi.
A i keni bërë 245 mijë dollarë shpenzime?
Kryemadhi: Jo.
Kryemadhi është nën hetim për veprat penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë, të njëjtat akuza për të cilat është arrestuar edhe ish-presidenti Ilir Meta, tashmë ish-bashkëshorti i saj dhe aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë.
Lini një Përgjigje