
Shembja dhe çarja e segmentit rrugor në aksin Librazhd–Pogradec, në zonën e njohur si Arrat e Gurrës, vazhdon të ndikojë në qarkullimin e automjeteve.
Edhe gjatë ditës së sotme, lëvizja po kryhet vetëm në një kah të rrugës, duke shkaktuar vështirësi për drejtuesit e mjeteve.
Qytetarët që e përdorin shpesh këtë aks shprehen të shqetësuar për situatën, duke e cilësuar atë problematike dhe të rrezikshme, veçanërisht gjatë natës apo në kushte të pafavorshme atmosferike.
“Është një katastrofë e madhe, kemi ngelur këtu për orë të tëra”, tha një qytetar.
"E përdor shpesh këtë rrugë, dhe shpresojmë të rregullohet sa më parë. Rruga është e rrezikshme sidomos gjatë natës dhe gjatë kohës kur ka shi”, tha një tjetër.
Një tjetër qytetar theksoi se situata nuk është e re për këtë segment.
“Ka ndodhur edhe më parë kjo dukuri. Drejtuesit e automjeteve duhet të kenë më shumë kujdes. Mirëmbajtja e rrugës duhet të ketë më shumë prioritet”, nënvizoi ai.
Një ditë më parë, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njoftoi zyrtarisht se qarkullimi me një korsi do të vijojë deri në ndërtimin e një korsie të përkohshme në anën e majtë të trupit të rrugës, me qëllim garantimin e lëvizjes së mjeteve në të dy drejtimet.
Lini një Përgjigje