
Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
18 orë seancë në Kuvend/ Rrëzohen 6 nismat e opozitës
Pas një seance maratonë që zgjati 18 orë, Kuvendi ka miratuar disa projektvendime për plotësimin e vendeve vakante në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, duke zgjedhur katër anëtarë të rinj, ndërsa një kandidaturë u shty për votim në një seancë të ardhshme.
Me 74 vota pro, 16 kundër dhe asnjë abstenim, deputetët miratuan projektvendimin për zgjedhjen e Selami Xhepës si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës.
Në një tjetër votim, me 72 vota pro, 19 kundër dhe 1 abstenim, u miratua kandidatura e Holta Zaçajt, e cila do të bëhet pjesë e organit më të lartë vendimmarrës të bankës qendrore.
Ndërkohë, projektvendimi për zgjedhjen e Matilda Shehut u shty për votim në një seancë tjetër plenare, me kërkesë të Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Kuvendi miratoi gjithashtu me 74 vota pro, 17 kundër dhe asnjë abstenim emërimin e Ervin Metes si anëtar të Këshillit Mbikëqyrës.
Po ashtu, me 73 vota pro, 18 kundër dhe asnjë abstenim, u miratua zgjedhja e Jonida Priftit si anëtare e këtij institucioni.
Ndërkohë Kuvendi ka votuar me 75 vota pro të maxhorancës ligjin e ri për shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë. Gjithashtu deputetët e majtë mbështetën draftin e ardhur nga Ministria e Jashtme dhe që ndër të tjera parashikon edhe testimin e diplomatëve brenda 12 muajve të hyrjes së tij në fuqi.
Kërkoi lirimin nga qelia/ Apeli i GJKKO-së vendos për Jurgis Çyrben
Apeli i GJKKO-së ka lënë në qeli ish-deputetin e PS-së, Jurgis Ccyrbja, duke rrëzuar kërkesën e këtij të fundit për shuarjen e masës së sigurisë.
Ndaj Çyrbjas, SPAK ngriti akuzat për “korrupsion aktiv zgjedhor”, “përkrahje e autorit të krimit” dhe “tregtimi i sekretit shtetëror”.
Hetimet ndaj ish-deputetit të PS-së dhe shtetasve Ahmet Masha e Altin Hajri, janë kryer nga prokurori i SPAK, Adnan Xholi.
Hetimet ndaj Çyrbjas zbuluan lidhje të thella dhe bashkëjetesë mes krimit të organizuar dhe politikës, si dhe ndikimin e tyre në procesin zgjedhor, duke deformuar votën e lirë dhe sistemin demokratik të vendit.
Sipas hetimeve, në këmbim të votave dhe mbështetjes, Çyrbja ka përdorur funksionin e tij si deputet për të siguruar të dhëna sekrete nga policia, të cilat ua vinte në dispozicion anëtarëve të grupeve kriminale.
Hetimet kanë zbuluar se në tetë episode të ndryshme gjatë periudhës maj 2020 – mars 2021, ish-deputeti është vënë në dijeni të të dhënave nga sistemi “TIMS” mbi një person të shpallur në kërkim, si dhe informacione sekrete të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Tritoli për raportimet mbi Gjadrin/ Ndryshon rrjedha e hetimeve për sulmin ndaj Ranuccit
Një shpërthim pranë banesës së gazetarit Sigfrido Ranucci, një emër i njohur nga investigimet televizive dhe një pistë hetimi që kalon Adriatikun deri në Majami. Sipas raportimit të La Capitale News, atentati i 16 tetorit ndaj drejtuesit të emisionit “Report” po merr zhvillime të reja, ndërsa hetuesit po thellojnë atë që e quajnë “pista shqiptare”.
Në qendër të vëmendjes ndodhet Artur Shehu, 58 vjeç, sipërmarrës me origjinë nga Shqipëria, i përmendur në disa investigime gazetareske si figurë me lidhje të dyshuara me ambiente të krimit të organizuar në vendin e tij. Aktualisht ai jeton në Shtetet e Bashkuara, në Majami të Floridës.
Sipas burimeve hetimore të cituara nga media italiane, edhe Drejtoria Hetimore Antimafia (DIA) ka marrë informacione nga Vlora për një përfshirje të mundshme të 58-vjeçarit në shpërthimin e ndodhur në Romë.
Prokuroria e Antimafias në Romë, me prokurorët Ilaria Calò dhe Carlo Villani, në bashkëpunim me karabinierët e njësive hetimore përkatëse, po punon për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes. Hetimi synon të identifikojë autorët materialë të vendosjes së lëndës shpërthyese dhe çdo përgjegjësi të mundshme në nivel urdhëruesish.
Brukseli mesazh politikës/ Stop sulmeve ndaj SPAK, po monitorojmë heqjen e imunitetit
Në një intervistë për Deutsche Welle, ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, vlerëson përparimin e Shqipërisë drejt integrimit europian, por thekson se vendi ndodhet në një fazë vendimtare.
Sipas tij, hapja e kapitujve të negociatave ishte një arritje e rëndësishme, por tani fokusi është tek “Themeloret”: sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, të drejtat themelore dhe funksionimi i drejtësisë. Komisioni Europian do të vlerësojë nëse reformat janë reale dhe të zbatueshme, përpara se të nisë mbyllja e kapitujve.
Ambasadori ndalet edhe tek fondet e BE-së, duke kërkuar transparencë dhe menaxhim rigoroz, veçanërisht për programin IPARD, ku pritet që qeveria shqiptare të garantojë kontroll të plotë financiar përpara rifillimit të mbështetjes.
Sa i përket drejtësisë, Gonzato e vlerëson pozitivisht punën e SPAK, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta. Ai shprehet i shqetësuar për sulmet politike ndaj gjyqësorit dhe thekson se reformat duhet të forcojnë, jo të dobësojnë, pavarësinë e drejtësisë.
Mesazhi për klasën politike është i qartë: bashkëpunim, dialog konstruktiv dhe angazhim serioz në luftën kundër korrupsionit janë çelësi për anëtarësimin në BE.
Për më shumë, klikoni në edicionin e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje