Problemet në aksin rrugor Maliq–Lozhan–Strelcë vijojnë të jenë të pranishme, si pasojë e rrëshqitjeve të dherave që kanë prekur disa segmente të tij.
Në pjesë të ndryshme të kësaj rruge janë konstatuar çarje në trupin e asfaltit, ndërsa në anë të saj janë evidentuar rrëshqitje masive dherash, të cilat kanë dëmtuar strukturën mbajtëse të rrugës. Këto dëmtime shtojnë rrezikun për drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë në këtë aks.
Situata ka shtuar shqetësimet lidhur me qëndrueshmërinë e investimit dhe standardet e punimeve të kryera, veçanërisht duke pasur parasysh se vetëm tre ditë më parë, në kilometrin e 13-të të këtij aksi, u raportuan dëmtime të konsiderueshme. Në atë segment u dëmtua barriera mbrojtëse dhe pati rrëshqitje dherash në trupin e rrugës.
Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar mbi masat e marra për stabilizimin e zonës dhe garantimin e sigurisë për përdoruesit e rrugës.
Lini një Përgjigje