Qarkullimi në zonën e tuneleve në Qafë Thore u ndërpre mëngjesin e sotëm pas rënies së disa ortekëve të dëborës të cilat bllokuan rrugën.
Reshjet e forta gjatë natës dhe temperaturat që lëvizin rreth zeros krijuan terren të paqëndrueshëm në shpatet malore. Masa e borës së grumbulluar u shkëput dhe përfundoi në rrugë, duke bllokuar kalimin e mjeteve.
Autoritetet evidentojnë rrezik të shtuar për rrëshqitje të tjera për shkak të trashësisë së dëborës dhe luhatjeve termike. Strukturat përgjegjëse po ndjekin zhvillimet në terren dhe do të ndërhyjnë për pastrimin e segmentit sapo kushtet të lejojnë punën me siguri.
Deri në stabilizimin e situatës, aksi mbetet i pakalueshëm.
"Prefektura e Qarkut Shkodër ka përditësuar situatën hidrometeorologjike për datën 20 shkurt 2026, ora 08:10, duke bërë të ditur se strukturat e emergjencave civile vijojnë monitorimin në terren.
Në Bashkinë Shkodër po vijon operacioni në fshatin Obot, ku janë angazhuar 6 forca dhe 1 mjet nga Reparti Ushtarak 1010, Vau i Dejës. Niveli i ujit në aksin rrugor ka arritur rreth 30 cm, ndërsa reshjet e shiut vazhdojnë herë pas here me intensitet të lartë. Deri tani nuk raportohen banesa të rrethuara nga uji.
Sipas të dhënave nga DRUK Lezhë, nivelet e ujit mbeten nën kuotat kritike. Niveli i liqenit është 7.85 m (kuota kritike 9.50 m), ndërsa lumi Drin është në nivelin 7.60 m (kuota kritike 10.00 m). Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar rreth 25 mm reshje shiu. Infrastrukturat e kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet paraqiten funksionale.
Sa i përket akseve rrugore, në segmentet Koplik–Bogë dhe Dedaj–Razem ka reshje shiu, ndërsa në aksin Bogë–Theth vijojnë reshjet e borës, me trashësi mbi 50 cm, duke rritur rrezikun për ortekë. Strukturat përkatëse janë në gatishmëri të plotë.
Në bashkitë Malësi e Madhe dhe Vau i Dejës reshjet kanë qenë me intensitet mesatar, pa probleme të raportuara. Ndërsa në Pukë dhe Fushë-Arrëz situata paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll.
Prefektura e Qarkut Shkodër bën të ditur se monitorimi i situatës do të vijojë dhe do të ketë njoftime të tjera në rast zhvillimesh të reja.",thuhet në njoftim.
Lini një Përgjigje