TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Shkurt 2026, 11:35

Sot protesta e PD/ Policia frikë nga molotovët: Nuk marrim përsipër zhvillimin e tubimit!

Shkruar nga Pamfleti

Sot protesta e PD/ Policia frikë nga molotovët: Nuk marrim

Bazuar në analizën e riskut dhe duke marrë parasysh faktin që në protestën e kaluar ka patur shtetas të maskuar të cilët kanë hedhur bomba molotov dhe lëndë piroteknike duke dëmtuar punonjës policie, si dhe nga informacionet e marra se mund të ketë veprime të dhunshme në protestën e sotme, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje subjektit politik, se nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit...

Policia e Tiranës nuk merr përsipër zhvillimin e tubimit të njoftuar nga demokratët për shkak të frikës nga molotovët që janë përdorur në dy protestat e fundit të organizuara nga PD, në 24 janar dhe 10 shkurt.

Gjithsesi policia njofton se ka marrë masa duke bllokuar disa segmente rrugore, ndërsa ka informuar mbi planin e masave të sigurisë në kuadër të protestës  të njoftuar nga Partia Demokratike, i cili pritet të zhvillohet sot, më 20 shkurt 2026, në orën 18:00, përpara Kryeministrisë.

Sipas autoriteteve, për shkak të vlerësimit të riskut për akte të mundshme dhune në vijim të incidenteve të regjistruara në protesta të mëparshme, ku pati persona të maskuar që hodhën bomba molotov dhe lëndë piroteknike nuk është dhënë miratim zyrtar për zhvillimin e tubimit.

Megjithatë, strukturat e Policisë do të jenë në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.

Në këtë kuadër, duke nisur nga ora 15:00 dhe deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në disa akse kryesore në qendër të kryeqytetit. Konkretisht, do të kufizohet lëvizja në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga Ministria e Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Policia u bën thirrje qytetarëve të shmangin këto segmente rrugore, të përdorin itinerare alternative dhe të raportojnë çdo rast të veprimeve të dhunshme apo shkeljeve të ligjit.

"Tiranë/Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës, për zhvillimin e një tubimi, më datë 20.02.2026, në orën 18:00, para Kryeministrisë.

Bazuar në analizën e riskut dhe duke marrë parasysh faktin që në protestën e kaluar ka patur shtetas të maskuar të cilët kanë hedhur bomba molotov dhe lëndë piroteknike duke dëmtuar punonjës policie, si dhe nga informacionet e marra se mund të ketë veprime të dhunshme në protestën e sotme, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje subjektit politik, se nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit.

Pavarësisht kësaj, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat, në bazë të ligjit “Për tubimet”, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, në rast se do të zhvillohet tubimi.

Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:

-Nga ora 15:00 e datës 20.02.2026, deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për ta devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative si dhe të distancohen e të denoncojnë në rast se ndeshen me veprime të dhunshme apo me çdo paligjshmëri tjetër.", njofton policia.

 

protesta policia masa

1 Komente

  1. T
    Tirona

    Cfare do me thene se nuk e merr persiper?

    Lini një Përgjigje