TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Shkurt 2026, 11:55

Shkarkimet nga HEC-i dhe reshjet e shiut përmbytin fshatrat e Fierit, uji mësyn në banesa

Shkruar nga Pamfleti
Shkarkimet nga HEC-i dhe reshjet e shiut përmbytin fshatrat e Fierit, uji
Shkarkimet nga HEC-i dhe reshjet e shiut përmbytin fshatrat e Fierit, uji mësyn në banesa

Reshjet intensive të ditëve të fundit, të shoqëruara me shkarkime nga HEC-i i Banjës që kanë arritur deri në 100 metër kub ujë në sekondë, kanë sjellë rritje të ndjeshme të prurjeve në lumenjtë e qarkut Fier.

Niveli i lartë i ujit në lumin Seman ka shkaktuar përmbytje në sipërfaqe të konsiderueshme tokash bujqësore të mbjella me kultura të stinës në disa fshatra të zonës. Situata paraqitet më problematike në fshatrat Petovë dhe Mbrostar, në bashkinë Fier, ku banorët raportojnë dëme të përsëritura.

Sipas tyre, kjo është hera e tretë brenda pak muajsh që përballen me përmbytje, duke pësuar humbje të konsiderueshme në ekonomitë familjare, kryesisht të mbështetura në bujqësi. Banorët fajësojnë shkarkimet e pakontrolluara për situatën e krijuar.

Përveç tokave të kultivuara, përmbytjet kanë prekur sërish edhe banesat.

“Jetoj prej 25 vitesh në këtë zonë, por një përmbytje të tillë nuk e kemi parë asnjëherë”, shprehet Sulo Tafa.

Ai tregon se ka larguar familjen nga banesa për shkak të lagështirës dhe dëmeve, ndërsa thekson se, pa mbështetje nga shteti, gjendja e tij është bërë e papërballueshme.

Ngjarje të ngjashme janë regjistruar edhe gjatë muajve janar dhe nëntor, ndërsa dëmet e njëpasnjëshme kanë përkeqësuar më tej situatën ekonomike të banorëve në zonë.

Lini një Përgjigje