
Seanca paraprake ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka përfunduar këtë të hënë.
Seanca e ardhshme gjyqësore ndaj tij do të mbahet më 3 qershor ora 9:00.
Beqaj kërkoi kohë të njihej me aktet.
“Nuk na është vënë në dispozicion e gjithë dosja”, tha ai.
Dosja e Sterilizimit
Kujtojmë se ish-ministri dhe 8 persona të tjerë, mes tyre ish-zyrtarë dhe biznesmenë, janë zyrtarisht nën akuzë nga SPAK për dosjen për koncesionin e sterilizimit.
Beqaj i cili akuzohet për shpërdorim detyre do të jetë në bankën e të akuzuarve së bashku me ish-zëvendësin e tij në Ministrinë e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj që mori koncesionin e sterilizimit, të dy në burg që prej gushtit të kaluar, aty ku u janë komunikuar edhe akuzat. Zv. ministri akuzohet për shpërdorim detyre ndërsa biznesmeni për mashtrim.
Hetimet janë kryer nga prokurorët Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi të cilët kanë pritur deri në momentet e fundit për mbylljen e hetimeve, afati i të cilave përfundonte pikërisht më 15 mars. SPAK akuzon për shkelje në procesin e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj.
Prokuroria thotë se në dhënien e koncesionit të akuzuarit nuk kanë respektuar ligjin dhe kanë shpërdorur detyrën ndërkohë që sipas akuzës Ilir Beqaj ka pasur njohje dhe miqësi të fortë me biznesmenin Ilir Rrapaj. Ndër gjetjet e konstatuara nga SPAK janë edhe procedurat e ndjekura për fituesin por dhe mos realizimi i kushteve të parashikuara në kontratë.
Lini një Përgjigje