TAGS-AT E JAVËS

Sport26 Nëntor 2025, 19:46

Vinicius kërkon të njëjtën kontratë si ajo e CR7, zbulohen kërkesat e brazilianit për të rinovuar me Realin

Shkruar nga Pamfleti

Vinicius kërkon të njëjtën kontratë si ajo e CR7,

Vinicius Zhunior ka kërkuar një pagë në nivelin e kontratës së fundit që Kristiano Ronaldo kishte te Reali i Madridit, sipas raportimeve të fundit.

Kontrata aktuale e brazilianit skadon në verën e vitit 2027, ndërsa drejtuesit madrilenë nisën bisedimet për rinovim gjatë gjysmës së dytë të sezonit të kaluar, me synimin për të mbajtur nën kontratë nënkampionin e “Topit të Artë”.

Reali i Madridit i ofroi 25-vjeçarit 17.5 milionë paund në vit, një rritje krahasuar me 15.8 milionë paund që përfiton aktualisht pas taksave. Pasi oferta u refuzua, përfaqësuesit e Vinicius kërkuan 26 milionë paund në vit, shifër që afrohet me kontratën më të majme në historinë e klubit, atë të Kristiano Ronaldos.

Pas kësaj, bisedimet u pezulluan, ndërsa situata u komplikua edhe nga marrëdhënia e tensionuar mes lojtarit dhe trajnerit Çabi Alonso. Sipas mediave, Vinicius nuk ka ndërmend të firmosë kontratë të re për sa kohë Alonso mbetet në krye të ekipit.

Tensioni u vu re edhe gjatë fitores 2-1 ndaj Barcelonës në “El Clasico”, ku Vinicius reagoi me zemërim kur u zëvendësua, përpara se të kërkonte ndjesë pas ndeshjes, pa përmendur trajnerin në deklaratën e tij.

Pavarësisht kësaj, Alonso e minimizoi incidentin dhe madje i besoi shiritin e kapitenit brazilianit në një ndeshje europiane. Ndërkohë, emri i Vinicius vazhdon të lidhet me një transferim të mundshëm në Arabinë Saudite, me Al-Ahli si destinacion të përfolur dhe një ofertë që mund të arrijë në 302 milionë paund, duke thyer çdo rekord transferimi në historinë e futbollit.

vinicius zhunior sulmuesi brazilian real madrid

Lini një Përgjigje