
Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani, ka folur për mediat turke lidhur me të ardhmen e tij te Beshiktashi, klub ku është transferuar në formë huazimi nga Interi gjatë merkatos së dimrit.
Futbollisti 24-vjeçar shprehu hapur dëshirën për të vijuar karrierën te skuadra e Stambollit, duke vlerësuar rëndësinë e klubit dhe objektivat e tij sportive.
“Erdha te Beshiktashi me formulën e huazimit, por dua të qendroj. Ky është një klub i rëndësishëm dhe ata luajnë gjithmonë për të fituar kampionatin, sikurse unë dua ta arrij këtë. Beshiktashi ka tifozë të mrekullueshëm”, u shpreh Asllani.
Deklarata e mesfushorit shqiptar interpretohet si një sinjal i qartë për dëshirën e tij për të vazhduar me bardhezinjtë e Stambollit, ndonëse kartoni i tij mbetet në pronësi të Interit.
Fillimi i aventurës së Asllanit te Beshiktashi nuk ishte i lehtë. Në ndeshjen e debutimit ai u ndëshkua me karton të kuq, një episod që ndikoi në startin e tij te skuadra turke. Megjithatë, në javët në vijim mesfushori ka arritur të fitojë më shumë hapësira dhe gradualisht po konsolidohet si një nga opsionet kryesore në mesfushën e ekipit.
Në ndeshjen e fundit kundër Gallatasarajit, Asllani pësoi një dëmtim të rëndë në dukje, por fatmirësisht pa pasoja serioze.
Që prej transferimit në Turqi, ai ka regjistruar gjashtë ndeshje në të gjitha kompeticionet në Superligën turke dhe Kupën e Turqisë, duke kontribuar me një asist.
View this post on Instagram
Lini një Përgjigje