
Ndryshime të rëndësishme pritet të përfshijnë kampionatin spanjoll të futbollit duke nisur nga sezonet e ardhshme. Presidenti i La Ligës, Havier Tebas, ka bërë të ditur se është përgatitur një plan për implementimin e një teknologjie të re që synon të lehtësojë punën e arbitrave dhe të rrisë saktësinë në vendimmarrje gjatë ndeshjeve.
Sipas tij, bëhet fjalë për vendosjen e një çipi brenda topit të lojës, i cili do të ndihmojë në përcaktimin me saktësi të momentit kur një futbollist godet topin dhe, në kombinim me sistemet e tjera teknologjike, do të ndihmojë në identifikimin e pozicionit jashtë loje.
Drejtuesit e federatës spanjolle e konsiderojnë këtë si një hap të rëndësishëm në rritjen e rolit të teknologjisë në futboll, pas përdorimit të sistemit VAR dhe më pas sistemit gjysmë-automatik për pozicionin jashtë loje.
Më shumë detaje për projektin ka dhënë vetë Tebas, i cili theksoi se synimi është që sistemi të jetë gati për sezonin e ardhshëm, ndërsa implementimi i plotë dhe i përhershëm parashikohet për sezonin 2026–2027.
“Po sjellim diçka të re dhe jemi duke e implementuar. Do të shohim nëse do të jetë gati për sezonin e ardhshëm. Deri tani kemi një sistem gjysmë-automatik që identifikon pozicionin jashtë loje, por personalisht nuk më ka bindur plotësisht. Për ta bërë më të lehtë këtë proces, ideja e vendosjes së çipit brenda topit është miratuar edhe nga FIFA”, është shprehur Tebas.
Për funksionimin e plotë të këtij sistemi, në stadiume do të nevojitet gjithashtu instalimi i një rrjeti kamerash të avancuara, të cilat do të punojnë në kombinim me teknologjinë e re për të përcaktuar me saktësi situatat e diskutueshme gjatë ndeshjeve.
Lini një Përgjigje