
Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, ka deklaruar se Kupa e Botës 2026 pritet të jetë një nga eventet më të mëdha sportive në histori. Në një intervistë për të përditshmen spanjolle “AS”, ai theksoi se turneu do të jetë shumë më tepër se një kompeticion futbolli.
Sipas Infantinos, Botërori i ardhshëm do të jetë i pari që do të zhvillohet me 48 skuadra, 104 ndeshje, në 16 qytete dhe në tre shtete pritëse: Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.
“Do të jetë një sukses. Po përballemi me diçka shumë të madhe. Është më shumë se një turne apo një kompeticion sportiv; është një event social për të cilin bota do të ndalet për ta ndjekur”, është shprehur Infantino.
Kreu i FIFA-s theksoi se interesi për të ndjekur ndeshjet nga stadiumet është shumë i madh dhe ka arritur nivele rekord.
Sipas tij, brenda katër javësh janë regjistruar më shumë se 500 milionë kërkesa për bileta, ndërkohë që për turneun janë në dispozicion rreth 7 milionë bileta.
“Është një pritje pa precedent. Kemi marrë mbi 500 milionë kërkesa për bileta, një shifër që nuk është parë kurrë më parë në historinë e FIFA-s apo të ndonjë institucioni tjetër”, tha Infantino.
Ai shtoi se një pjesë e biletave do të ruhen për fazat përfundimtare të turneut dhe se në fund të kompeticionit stadiumet pritet të jenë plot, duke e kthyer Botërorin në një festë të madhe sportive.
Infantino foli edhe për të ardhmen e Botërorit të Klubeve, edicioni i fundit i të cilit u fitua nga Çelsi.
Sipas tij, FIFA është në diskutime për mënyrat se si mund të përmirësohet formati i këtij turneu.
“Ishte një sukses, por tani po flasim me të gjithë për mënyrën se si mund ta përmirësojmë. Flitet për një format me 32 skuadra, por mund të jenë edhe më shumë. Ende nuk kemi vendosur se ku do të zhvillohet. Pas Botërorit do të marrim kohën e nevojshme për të analizuar se si mund ta përmirësojmë”, deklaroi presidenti i FIFA-s.
Lini një Përgjigje